Bilanci i vetingut, 25 emra të shkarkuar dhe 30 të rikonfirmuar në detyrë, Kushtetuesja dhe Gjykata e Lartë më problematiket

0
447

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit gjatë shtatë muajve ka shkarkuar nga detyra 25 gjyqtarë dhe prokurorë me probleme. Gazeta ka bërë një bilanc të të gjithë punës së KPK që nga nisja e seancave dëgjimore dhe vihet re që deri tani në sitë kanë kaluar 55 subjekte rivlerësimi. Seanca e parë dëgjimore është zhvilluar në mars të këtij viti, ku në sitë kaloi Fatos Lulo, ndërsa tetori shënon muajin e shtatë të punës së KPK. Nga këta 55 gjyqtarë e prokurorë që janë përballur me vetingun, 30 emrave iu ka “buzëqeshur” fati duke u rikonfirmuar në detyrë, ndërsa 25 të tjerët janë detyruar të lënë në mes detyrën e tyre. Midis emrave të shkarkuar ka edhe një sërë të njohurish, si Rovena Gashi, ish-prokurore e Prokurorisë së Përgjithshme, Shkëlzen Selimi, ish-gjyqtar i Gjykatës së Lartë, Artan Broci, ish-anëtar i Gjykatës së Lartë, Ahmet Jangulli nga Gjykata Administrative e Shkodrës apo edhe Dritan Rreshka, i cili deri para se të përballej me vetingun mbante postin e drejtuesit të Prokurorisë së Tiranës. Edhe në grupin e të rikonfirmuar ka mjaft emra të njohur për publikun, midis të cilëve mund të përmendim: Ardian Dvorani, anëtar i Gjykatës së Lartë, rikonfirmimi i të cilit u anatemua gjatë nga Partia Demokratike, Arta Marku, Bujar Sheshi, i cili shpëtoi ngritjen e KLP, apo edhe emrat e Xhezair Zaganjorit dhe Bashkim Dedjes. Këta dy të fundit janë krerët e gjykatave kryesore në vend, Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese. Rikonfirmimi i tyre në detyrë ngjalli shumë dyshime sepse Komisioni i Pavarur i Kualifikimit kishte gjetur gjatë hetimit një sërë shkeljesh me pasuritë. Nisur edhe nga këto gjetje dhe nga rikonfirmimi i dyshimtë, Komisioneri Publik vendosi ankimimin e vendimit dhe tashmë për fatin e tyre do të vendosë Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Në listën e të rikonfirmuarve nga KPK është edhe prokurori i Krimeve të Rënda, Gentian Osmani, që kërkoi arrestimin e Saimir Tahirit. Ndërsa emri më i fundit që u rikonfirmua në detyrë është edhe prokurori Sokol Stojani, vendimi për të cilin u dha ditën e djeshme.

“Çerdhet” e korrupsionit

Ajo që bie në sy nga gjithë emrat që kanë kaluar në sitë është fakti që Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese kanë qenë dy organet më të prekura nga shkarkimet. Më konkretisht, Nga Gjykata Kushtetuese u larguan 4 anëtarë: Fatos Lulo, Fatmir Hoxha, Altina Xhoxhaj dhe Gani Dizdari. Të vetmit të rikonfirmuar në radhët e Kushtetueses janë Vitore Tusha dhe Bashkim Dedja. Ndërsa sa i takon Gjykatës së Lartë, janë larguar nga detyra: Admir Thanza, Artan Zeneli, Tom Ndreca, Shkëlzen Selimi dhe Artan Broci. Siç duket nga ky bilanc, Gjykata Kushtetuese dhe ajo e Lartë mund të konsiderohen si “çerdhe” korrupsioni sepse emrat e larguar nga detyra kanë patur probleme të shumta me justifikimin e pasurisë. Pas këtyre dy organeve, gjykata e tretë në listë me numrin më të lartë të të shkarkuarve nga vetingu është ajo e Apelit. Vlen të theksohet që një pjesë e mirë e të “ndëshkuarve” nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i janë drejtuar Kolegjit të Posaçëm të Apelimit për të kërkuar rikthimin në detyrë, por deri tani, ata që janë shkarkuar nga KPK, janë shkarkuar edhe nga KPA. Kjo do të thotë që për gjyqtarët e prokurorët e korruptuar dhe të përfshirë në afera nuk ka asnjë shpresë. Ndërkohë, puna e KPK pritet të vijojë sepse momentalisht janë 144 gjyqtarë dhe prokurorë të shortuar në pritje të seancave dëgjimore dhe procesit të rivlerësimit./Mimoza IBRA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here