BE kërkon ngritjen e SPAK, futen në veting anëtarët e Krimeve të Rënda, PAMECA dhe EURALIUS nisin trajnimet për të goditur të korruptuarit

0
411

Ndërkombëtarët po rrisin presionet ndaj politikës dhe institucioneve shqiptare sa i takon zbatimit të reformës në drejtësi. Në takimin e Stabilizim Asociimit Shqipëri-BE u kërkua që të nisë lufta antikorrupsion dhe të ngrihen sa më shpejt SPAK dhe BKH. Po ashtu, ambasadorë dhe zyrtarë të lartë të SHBA-BE e kanë ripërsëritur këtë thirrje. Në kuadër të këtyre presioneve, duket se po ndërmerren dhe hapat e parë për ngritjen e organeve antikorrupsion. Gazeta e ka thënë disa herë se të parët që kanë të drejtë të emërohen aty, janë prokurorët dhe gjyqtarët e Krimeve të Rënda. Dje ka dalë para Komisionit të Pavarur të kualifikimit prokurori pranë Prokurorisë së Apelit për Krime të Rënda, Bujar Sheshi. Në seancën dëgjimore, relatorja Genta Bungo tha se ILDKP ka deklaruar se prokurori ka probleme me pasurinë. Por nga verifikimet e KPK ka rezultuar ndryshe. Sipas relatores së çështjes, në dosjen e dorëzuar pranë KPK nga ILDKPKI vlerësohet se deklarimi i prokurorit Sheshi nuk është i saktë dhe se ka pa përputhshmëri të deklarimeve për pasuritë dhe burimet, por se nuk ka kryer deklarim të rremë dhe nuk ka pasur konflikt interesi. Në lidhje me pasurinë, apartament 1+1, me sipërfaqe 59 m2, në katin e pestë të një pallati në rrugën “Qemal Guranjaku” Tiranë, të blerë më 27 korrik 1993 me çmim shitje 9060 lekë, komisioni ka konkluduar se bazuar në të ardhurat e tij dhe të bashkëshortes, prokurori Sheshi ka pasur mundësi blerëse. Sipas KPK, subjekti ka qenë i saktë në deklarimin e parë të vitit 2003 për këtë pasuri. Lidhur me dhomën shtesë të ndërtuar në vitin 1998 e të legalizuar në vitin 2015, rezulton se subjekti e ka deklaruar në vitin 2003, por nuk ka deklaruar shpenzimet. Sipas KPK, lidhur me këtë, subjekti është shprehur se në deklarimin e vitit 2003, në formularin që duhej plotësuar nuk kërkohej vlera e shpenzimeve, por vetëm pasuria. Si përfundim, komisioni ka konstatuar se nuk është deklaruar vlera fillestare e ndërtimit prej 180 mijë lekësh, por se ai nuk ka pasur detyrim ligjor për të përshkruar në formular burimin e shpenzimeve të kryera. Sipas sinjaleve të dhëna dje në seancë, zoti Sheshi pritet të rikonfirmohet në detyrë.

Nisin trajnimet

Teksa KPK po punon që të verifikohen anëtarët e Krimeve të Rënda me qëllim që të garojnë për në SPAK, ndërkombëtarët kanë nisur trajnimet që gjithçka të jetë gati. Misioni PAMECA, i cili asiston policinë prej javësh ka nisur trajnimet në pastrimin e parave dhe në sekuestrimin e aseteve kriminale. Ndërkohë në lëvizje është vënë dhe misioni i ri i EURALIUS. Pak muaj më parë nisi punë EURALIUS 5 dhe ata kanë bërë publik planin e tyre, ku parashikohen një sërë trajnimesh për prokurorë e gjyqtarë për goditjen e korrupsionit dhe sekuestrimin e pasurive. Trajnimi i parë është bërë më 15 tetor në Shkollën e Magjistraturës. Ndërkohë gjatë muajit nëntor parashikohen 5 raste trajnimesh. Dy seanca do zhvillohen në datë 1 dhe 2 dhe fokusi do jetë korrupsioni, ndërsa seancat e tjera do mbahen në datat 19, 20 dhe 21. Po ashtu trajnime do të ketë dhe në dhjetor, e më konkretisht në datat 3 dhe 4. Në të gjitha këto trajnime do të marrin pjesë gjyqtarë e prokurorë, të cilët do të mësojnë teknika speciale për goditje të krimit e korrupsionit dhe sekuestrimin e pasurisë. Ndërsa PMECA ka realizuar rreth 9 trajnime javët e fundit, që nga goditja e korrupsionit, te teknikat proaktive të hetimit dhe goditja e krimit të organizuar. Pra duket se Brukseli po përgatit terrenin për SPAK.

Kliti Topalli

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here