Basha i quajti cironka arrestimet e të dielës, Kryemadhi i del kundër: Sinjal shumë i mirë, po lëvizin gjërat

0
306

Një tjetër përplasje është vënë re dje mes kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe kryetares së LSI, Monika Kryemadhi. Në lidhje me arrestimet e ditës së diel dy krerët opozitarë nuk mbajnë të njëjtin qëndrim. Basha i quajti ata që ranë në pranga si cironka, por për Kryemadhin, operacioni i policisë do përgëzuar dhe do parë si sinjal i mirë.

“Kemi dëgjuar për arrestimet e fundit që kanë ndodhur në Shqipëri që është një sinjal shumë i mirë për hir të së vërtetës, për shkak të sigurisë, është një sinjal shumë i mirë për të rinjtë, për t rejat, për popullin shqiptar, si një mundësi për të parë që diçka do të fillojë dhe do të shkojë në vend. Është një sinjal i mirë, sepse të ndalosh sot grupe kriminale apo të zbulosh laboratorë droge, të cilat në një farë mënyre kanë njollosur të ardhmen e Shqipërisë, apo emrin e Shqipërisë në hartën e Evropës, është diçka që fillon ti lëvizi gjërat, por nga ana tjetër skepticizmi, jo vetëm i klasës politike”, tha ajo në një takim në Vlorë.

Kryemadhi shtoi se tani ekziston skepticizmi sesa do të jenë të afta institucionet e drejtësisë t’i mbajnë në vendin që ju takon të arrestuarit. “Skepticizmi i njerëzve është se sa e qëndrueshme do të jenë institucionet e drejtësisë, për të përballuar presionet e këtyre grupeve dhe bandave kriminale, të cilat janë arrestuar. Janë arrestuar me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë, bashkë me strukturat e policisë shqiptare dhe përfitoj nga rasti për të falënderuar të gjithë ata individë, apo segmente, apo struktura të përfshira në këtë aksion kundër grupeve kriminale. Nga ana tjetër i bëj thirrje të gjithave atyre institucioneve, të cilët sot kanë në dorë lirimin ose ndalimin e tyre, që të jenë shumë të kujdesshëm që këtë aksion të ndërkombëtarëve në bashkëpunim edhe me Policinë e Shtetit, të mos ta dështojnë, por të ecin përpara”, u shpreh ajo. Monika Kryemadhi nga ana tjetër iu bëri thirrje të rinjve të bashkohen në politikë me qëllim që vendi të bëjë hapa përpara. “Përfshirja e të rinjve në politikë është shumë e domosdoshme sepse vetëm një i ri dhe një e re kanë për të ecur përpara. Nganjëherë qetësia jonë edhe dashuria jonë u dha mundësi atyre që abuzuan me tolerancën e LSI dhe sot kemi të instaluar segmente të krimit të organizuar në shtet”, tha Kryemadhi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here