Ekspozohen për publikun libra, harta dhe gravura të shekujve XV- XIX për Shqipërinë

0
438

Ekspozita “Rrëfimet e një koleksioni albanologjik: Shqiptarët dhe Shqipëria nga Skënderbeu tek Pavarësia” u çel në Muzeun Historik Kombëtar. Për herë të parë në ekspozohet për publikun, një koleksion unik librash, hartash dhe gravurash të vjetra të shekujve XV – XIX shkruar për Shqipërinë dhe shqiptarët, pjesë e koleksionit privat të Ylli Sulës. Për herë të parë koleksioni ekspozohet në muze, por që ka shumë rëndësi për koleksionistin Ylli Sula. Në një reagim të tij ai pohon se është një punë 25 vjeçare, që ai po vijon punën për koleksionin e tij. Ai tregon se librat, gravurat dhe hartat ekspozohen për herë të parë, por ka prej tyre botime që fillojnë që nga viti 1493. Për ekspozitën ai tregon se janë libra që janë shkruar nga autorë të huaj në gjuhë të ndryshme. “Ekspozita për mua është e rëndësishme, sepse është një koleksion i cili më rezulton që është unik, dhe janë libra të vjetër të shkruar për Shqipërinë dhe shqiptarët në gjuhë të ndryshme nga autorë të huaj. Fillojnë nga 1493 deri në fillim të shekullit të njëzet, libra, harta dhe gravura”, pohon koleksionisti Ylli Sula. Ai tregon se në punën e tij që ka 25 vjet që vijon si koleksionist bën shumë kërkime për të koleksionuar materiale të rëndësishme dhe me vlera. “Unë kërkoj për koleksionet dhe i mbledh ato. Kur bëj kërkime unë i verifikoj nëse janë origjinale dhe më pas edhe i blej për koleksionin. Ky është koleksioni im privat dhe është hera e parë që bëhet ekspozimi i tij. Unë kam 25 vjet që mbledh dhe koleksionoj” tregon më tej koleksionisti Ylli Sula. Ekspozita në Muzeun Historik Kombëtar vjen edhe në vijim të veprimtarive të tjera që janë zhvilluar për publikun. Nuk janë të pakta ekspozitat që hapen në mjediset e MHK, por këtë herë janë materiale të rralla, që kanë rëndësi për historinë e Shqipërisë.

Koleksioni i mbledhur jashtë vendit

Prej vitesh duke koleksionuar libra, harta dhe gravura të vjetra, koleksionisti Yll Sula pohon se për koleksionin e tij ai ka qenë në disa vende të Europës. “Koleksioni im ekspozohet tani, por unë kisha arritur dhe një masë numerike dhe cilësie, që më duhej ta ekspozoja dhe jo ta mbaja vetëm për vete. Unë prej 25 vitesh koleksionoj libra, harta, etj. I gjithë koleksioni im është mbledhur jashtë. Janë të gjithë librat që vijnë nga jashtë dhe nuk bëhet fjalë që janë gjetur në Shqipëri. Mund të jenë rreth njëzet vende, që unë e kam mbledhur koleksionin tim dhe përgjithësisht në vendet e Europës. Janë libra, që shkruhet për Shqipërinë dhe unë i kam blerë në librari jashtë vendit”, tregon më tej koleksionisti Ylli Sula. Për herë të parë në Muzeun Historik Kombëtar prezantohet një koleksion unik librash, hartash dhe gravurash të vjetra të shekujve XV – XIX shkruar për Shqipërinë, por sot në ambientet e sallës UNESCO, në kuadër të kësaj ekspozite do të mbahet edhe konferenca shkencore me kumtesat albanologjike të disa studiuesve. Konferenca sot nis me studiuesin Aurel Plasari me kumtesën “Skënderbe në dashurinë e një bibliofili”; Xhevat Lloshi me “Visaret befasuese të një koleksioni të rrallë”; Skënder Blakaj vjen me kumtesën “Kontributi shqiptar i Papë Albanit, përfshirë kryeveprën “Illyricum Sacrum, dhe Skënderbeu”. Historiani Pëllumb Xhufi sot mban kumtesën “Epiri dhe Kosova në literaturën historike të shek. XV-XVII”; Irakli Koçollari vjen me “Një epokë dhe një personazh që pruri në vëmendjen e Europës dhe më gjerë Shqipërinë dhe shqiptarët” dhe Dorian Koçi me “Grand Tour”- Udhëtime dhe zonjat angleze në Shqipëri”.

 Nga Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here