Filmi “Delegacioni” u vlerësua si më i miri në Festivalin e Varshavës. Festivali këtë vit zhvilloi edicionin e 34 dhe “Delegacioni” nisur nga i ndjeri Artan Minarolli me regji nga Bujar Alimani rrëmbeu çmimin e madh. I kthyer nga Polonia në Tiranë regjisori Alimani shprehet se ky vlerësim shkon dhe për Artan Minarollin.
“Një sukses i madh, që nuk është vetëm i imi. Këtë e them pa asnjë lloj modestie, por e të gjithë kinematografisë shqiptare që po përpiqet të jetë prezente në botë. Pas çmimit, familjarët e Artan Minarollit kanë qenë jashtëzakonisht të ekzaltuar, nuk e prisnin kaq shumë. Përpos faktit që ishte një punë e mbetur, amanet i një kolegu përfundon kështu si përfundon, ose më saktë starton me këtë triumf kaq të madh”, pohon regjisori Alimani.
Pas këtij vlerësimi në Poloni, regjisor Alimani pohon se kinemaja shqiptare po konkurron denjësisht në botë. “Qendra Kombëtare e Kinematografisë është shtëpia jonë, është shtëpia e kineastëve, ashtu siç ka qenë i gjithë ky ambienti i Kinostudios. Gjej rastin të falenderoj institucionin tim që më mbështet, institucionin kombëtar të kinematografisë dhe zotin Butka, i cili ka qenë shumë aktiv dhe është vazhdimisht në përpjekjet tona për të bërë një kinematografi, e cila konkurron denjësisht edhe në kinematë e botës” tregon më tej regjisori i filmit “Delegacioni”. Në një reagim në media regjisori Alimani ka pohuar se edhe tematika e filmit është aktuale. “Kemi të bëjmë me një intelektual që nuk bëhet lojë dhe vegël e sistemit politik, nuk luan lojën e tyre, nuk shitet ma pak fjalë duke paguar edhe sakrificën kapitale. Edhe në Poloni ishte kështu, përmendej shpesh se çfarë po ndodh në Hungari me sistemet të cilat fillojnë dhe bëhen shumë autoritare. Në këto sisteme që ne pretendojmë që i kemi demokratike, prandaj them që filmi është shume aktual”, pohon Alimani.
Me një kast aktorësh si Viktor Zhusti, Xhevdet Ferri, Ndriçim Xhepa, Richard Sammel, Rovena Lule, Kasem Hoxha, filmi trajton ngjarjet e rëndësishme që ndodhën në Shqipërinë e viteve 1989-‘90. “Delegacioni” me skenar të Artan Minarollit, regji Bujar Alimani është bashkëprodhim i NSH Bleri Production Kosovë, me Art film Shqipëri, Zorba Production France dhe Graal films Greqi.