Studim për bujqësinë, do të identifikohen produktet që do mbështeten në 2019 jo mbivendosje me IPARD II

0
402

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural do të zhvillojë një studim tjetër për të identifikuar produktet prioritare që shfaqin avantazh konkurres dhe që duhet të mbështeten nga skema kombëtare. Aktualisht ky dikaster ka hapur një procedurë ku po kërkon ekipin që do të kryejë studimin por që në bazë do të ketë edhe studime të tjera të mëparshme të kryera pikërisht me këtë fokus. Ministria sqaron se studimi synon të klasifikojë produktet që do të mbështeten përmes Skemës Kombëtare në vijim duke evituar kështu që të ketë mbivendosje me mbështetjen që vjen nga Bashkimi Europian përmes IPARD II.

“Mbështetja financiare për sektorin e bujqësisë është rritur ndjeshëm. MBZHR me një fond prej 20 milion Euro, në masat mbështetëse të planifikuara për vitin 2018, ka përfshirë 15 produkte me avantazh krahasues dhe konkurrues, në gjithë zinxhirin e vlerës, si edhe disa masa për diversifikimin e aktiviteteve ekonomike në zonat rurale (zhvillimin e agroturizmit, etj).

Në muajt e fundit të vitit 2018, ose në fillim të vitit 2019, pritet të nisë Programi IPARD II, i cili do të mbështesë sektorin bujqësor shqiptar me një fond prej 94.2 milion EUR, deri në vitin 2021. Në këtë kontekst, MBZHR i lind nevoja e përshtatjes së mbështetjes që do t’i jape fermerëve nga viti 2019 nëpërmjet Skemës Kombëtare të Mbështetjes për Sektorin e Bujqësisë, për të mos patur mbivendosje me Skemën e mbështetetur nga IPARD II” thuhet në dokumentin e ministrisë.

Po kështu MBZHR nënvizon se analiza e kryer, duhet të identifikojë dhe rekomandojë masat dhe mjetet (instrumentet) për përmirësimin e situatës aktuale të sektorit bujqësor dhe në këndvështimin e perspektivës, në periudhën afat-shkurtër dhe afat-mesme. Ndërsa, në mënyrë më specifike, analiza, studimi, identifikimi dhe rekomandimet do të fokusohen në produktet kryesore me potenciale zhvillimi.

Të paktën tre janë objektivat që do të ketë në thelb studimi ku së pari është diagnoza e plotë e gjendjes aktuale të sektorit të bujqësisë, së dyti identifikimi i produkteve bujqësore dhe blegtorale me potenciale zhvillimi dhe së treti propozimi i politikave për kapitalizimin e pikave të forta, eliminimin e problemeve, shfrytëzimin e mundësive dhe zbutjen e risqeve.

Ndër të tjera theksi vihet në faktin se studimi mund tju shërbejë tre aktegorive kryesore në treg si fermerët, sipërmarrësit dhe tregu bankar.

“Studimi do të kontribuojë në orientimin e fermerëve dhe agrobiznesit drejt produkteve të kërkuara nga tregu dhe që sigurojnë të ardhura më të mëdha, dhe veçanërisht në rastet e investimeve me implikime afat-gjata.

Studimi, gjithashtu mund të shërbejë për të orientuar sipërmarrësit e interesuar për marrjen me qira të tokave bujqësore dhe kullotave në pronësi publike dhe përmirësimin e procedurave të administrimit të tyre nga institucionet përkatëse.

Po kështu, gjetjet e tij mund të shërbejnë për sektorin Bankar në zhvillimin e paketës së kredive për fermerët dhe agrobiznesin” nënvizon ministria.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here