Nga Balfin te Kastrati, ngecin fitimet e grupeve më të mëdha në vend

0
599

Maturiteti i shumë tregjeve, shtimi i konkurrencës, rënia e konsumit për shkak të ngadalësimit të ekonomisë dhe rigjallërimit të emigracionit po e bëjnë më të vështirë për grupet e mëdha në vend që të rrisin fitimet, ndonëse ata prej vitesh po diversifikoheshin për t’i paraprirë kësaj situate. Shifrat e këtij viti tregojnë se grupet më të mëdha në vend, si Balfin apo Kastrati, kanë raportuar rënie të fitimeve ose ngecje të tyre.

Balfin

Balfin është grupi me fitime më të mëdha në vend. Në total, në vitin 2017, përfshirë dhe dividendët që merren nga investimet në kompanitë jashtë (grupi Balfin), fitimet e Balfin ishin rreth 6 miliardë lekë, ose rreth 45 milionë euro, me një rënie të lehtë, ku efektin kryesor e dha ndërtimi dhe fitimet jashtë (vitin e kaluar shitja e aksioneve të Skopje City Mall rriti fitimet e grupit nga aktiviteti jashtë vendit).

Ndërsa më parë ishin ndërtimet, që sillnin më shumë fitime në grup, në 2017 dominoi Albchrome, rezultati i të cilit u dyfishua në 2.1 miliardë lekë, duke kompensuar rënien e ndërtimeve. (fitimi i Mane TCI ra me 43% në 640 milionë lekë). Së fundmi, Balfin po tërhiqet gradualisht nga ndërtimet rezidenciale dhe po fokusohet në turizëm.

NEPTUN dhe TEG deklaruan përkatësisht rritje të fitimeve me 54% dhe 27%. Edhe për Kid Zone (Jumbo) ishte një vit pozitiv me katërfishim të fitimeve.

Presidenti i Balfin ka deklaruar në një intervistë të fundit se grupi do të përqendrohet kryesisht te turizmi dhe nuk ka plane të tjera në Shqipëri për investime, për momentin. Në fakt grupi është në proces riorganizimi, për shitjen e një pjese të bizneseve, “të cilat na kërkojnë shumë kohë menaxheriale”, thotë Mane. Sipas tij, fokus do të jetë rajoni. “Zvogëlimi i portofolit të investimeve në Shqipëri është një nga sfidat e vitit 2018-2019 dhe padyshim sfidë tjetër është diversifikimi dhe shtrirja rajonale”, ka pohuar z. Mane.

 

Kastrati

Kastrati është grupi më i madh sa i përket xhiros, por i dyti për fitime, eksa tregtimi i naftës, që është aktiviteti bazë, rezulton me përfitueshmëri të ulët. Tre kompanitë kryesore të grupit KASTRATI SH.A. (tregtim me shumicë i naftës), KASTRATI (tregtim me pakicë i naftës) dhe Alb-Siguracion (sigurime) rezultuan me një fitim prej 2.16 miliardë lekësh (16 milionë euro), me një rënie prej 3% me bazë vjetore.

Kompania tjetër e grupit Auto Star Albania, distributori zyrtar i Mercedez Benz në Shqipëri ka rezultuar me fitime minimale prej 57 milionë lekësh. Në total, fitimet e kompanive kryesore të grupit ishin rreth 2.3 miliardë lekë, pothuajse të pandryshuara nga një vit më parë.

Grupi është diversifikuar vitet e fundit edhe në ndërtim e turizëm, që pritet të sjellin fryte në vitet në vijim, teksa janë në fazat e para të zhvillimit. Grupi Kastrati po ndërton kompleksin e banesave Turdiu, së bashku me A.K Construction, ndërsa është tashmë aksioneri i vetëm në qiellgërvishtësin “DownTown Albania” që do të ndërtohet tek ish 7-Xhuxhat.

 

Infosoft-Joti

Katër kompanitë e grupit Infosoft-Joti (që ka aktivitet në fushën e tregtimit dhe informatikës), INFOSOFT SYSTEMS, INTER TRADE & DISTRIBUTION, INTERBRANDS, INTER TRADE & DISTRIBUTION, kishin fitime prej 1.5 miliardë lekësh në 2017-n (rreth 11 milionë euro), pothuajse e pandryshuar në raport me 2016-n.

Kompanitë kryesore të Grupit Infosoft kanë realizuar në total një xhiro prej 20 miliardë lekësh në aktivitetin në Shqipëri, sipas të dhënave nga Tatimet, me rritje prej rreth 3%. Në fund të vitit 2016, 49% të kuotave të ITD iu shitën grupit Balfin.

 

AGNA

Dy kompanitë kryesore të grupit, Agna sh.a. (shpërndarës produktesh dhe investues), Alfa sh.a. (ambalazhues i Pepsi, Ivi, 7Up, Lipton Ice Tea; prodhues i Glina dhe Spring; shpërndarës i Heineken, Amstel, Alfa Beers, Tsantali Wines dhe Shark Energy Drink), realizuan për vitin 2017 fitime prej 1.2 miliardë lekësh, me një rritje prej 9.4% me bazë vjetore.

Dy kompanitë raportuan një xhiro prej rreth 23.6 miliardë lekësh, me një rritje prej 10.2% në raport me vitin e mëparshëm. Shoqëria tjetër e grupit, Albartex, e fokusuar në reklamimet outdoor, pa rënie të të ardhurave dhe fitimeve për shkak të uljes së tregut të reklamave. Fitimet e Albartex ishin 37 milionë lekë, me rënie 36%.

 

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here