Rregullimi i procedurave për ushtrimin e nismës ligjvënëse të shtetasve në Shqipëri, Venecia miraton rekomandimet

0
330

Komisioni i Venecias zhvilloi ditën e djeshme një sesion shkëmbimi pikëpamjesh mbi projektligjin “Për nismën legjislative të shtetasve në Republikën e Shqipërisë”, ku ishte e pranishme Vasilika Hysi, zëvendëskryetare e Kuvendit të Shqipërisë. Ky opinion u kërkua nga kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, pak javë më parë. Në këtë kuadër, Kuvendi i Shqipërisë mirëpriti në Tiranë një mision të Komisionit, i cili u takua me përfaqësues të institucioneve shqiptare e deputetë dhe diskutoi rreth çështjeve të veçanta të projektligjit.

Në fjalën e saj, Hysi i shprehu Presidentit të Komisionit z. Buquiçhio, mirënjohjen dhe falënderimet në emër të Kuvendit të Shqipërisë dhe kryetarit, Gramoz Ruçi, për mbështetjen dhe asistencën që Komisioni i Venecias, veçanërisht Presidenti i tij, i kanë dhënë reformave në Shqipëri, në mënyrë të veçantë reformës në drejtësi. Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë i ka adresuar Komisionit të Venecias dy kërkesa për opinione: e para, lidhur me këtë projektligj që u diskutua dje, dhe e dyta, kërkesa për opinion për projektligjin për vetingun e politikanëve. Ndërsa Hysi vlerësoi pranimin e kërkesave si edhe fleksibilitetin e shpejtësinë e përfshirjes së tyre në agjendën e punimeve të këtij Komisioni, si dhe ftesën për të shkëmbyer mendime lidhur me projektligjin për nismën ligjvënëse të shtetasve shqiptarë.

“Propozime të grupeve të interesit janë adresuar nga deputetë të Kuvendit në diskutimin e një projektligji ose janë depozituar si nisma deputetësh. Kuvendi i Shqipërisë ka një praktikë të mirë parlamentare që mundëson konsultim publik të projektligjeve dhe pjesëmarrjen e grupeve të interesit, veçanërisht të shoqërisë civile në procesin e ligjbërjes. Pothuajse të gjitha projektligjet përmbajnë mendime dhe propozime të shoqërisë civile që janë paraqitur si nisma/propozime deputeti”, deklaroi Hysi në fjalën e saj. Projektligji për nismën ligjvënëse të shtetasve, synon të rregullojë procedurat për ushtrimin e nismës ligjvënëse të shtetasve në Republikën e Shqipërisë. Kjo e drejtë është e sanksionuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Që nga miratimi i Kushtetutës, 20 vite më parë, një ligj i tillë ka munguar. Por, pjesëmarrja e publikut në diskutimin, ndryshimet dhe përmirësimet e ligjeve ose miratimin e ligjeve të reja nuk ka munguar. Ndërkohë mësohet se edhe drafti i reformës zgjedhore pritet t’i shkojë Komisionit të Venecias për opinion.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here