Dhënia me koncesion e kontrollit të karburanteve, Zëri i Amerikës ngre dyshime mbi garën e hapur

0
458

Zëri i Amerikës i ka kushtuar dje një hapësirë të madhe koncesionit për kontrollin e pompave të karburanteve. Në artikull thuhet se kjo ka ngritur dyshime për shmangien e interesit publik dhe një garë të paracaktuar. Tenderi është pezulluar në fillim të muajit pas ankimit të një kompanie zvicerane për diskriminim të operatorëve të huaj. Sipas artikullit, dy herë në vit përgjatë dekadës së fundit, Drejtoria e Metrologjisë kryen kontrollin e pompave të naftës dhe të gazit të lëngshëm-shërbim ky që synon të mbrojë qytetarët shqiptarë nga abuzimet me sasinë e karburantit. Por një vendim i Këshillit të Ministrave, i pasuar nga një tender i shpallur nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë i ka hapur rrugën dhënies së këtij shërbimi me koncesion, një vendim që ka ngritur hije dyshimi mbi cenimin e interesit publik dhe një garë të paracaktuar, vijohet më tej.

Zanafilla e projektit koncesionar nisi në dhjetor 2016 me një propozim të pakërkuar të kompanisë “Noa Control”, e cila u ofrua të zëvendësonte drejtorinë e Metrologjisë në kryerjen e kontrollit të distributorëve të karburanteve. Një vit e gjysmë pas propozimit, kompania private u shpërblye me bonus prej 10 pikësh, një praktikë tashmë rutinë e qeverisë Rama me referencë ligjin për koncesionet dhe partneritetin publik privat. “Kontrolli ligjor i instrumenteve shpërndarëse të karburantit është një ndër aktivitetet kryesore që i ka mbetur Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë në Shqipëri dhe arkëton çdo vit rreth 80 milionë lekë në buxhetin e shtetit. Ministria e Financave dhe Ekonomisë synon ta japë atë me koncesion në këmbim të një investimi dysheme prej vetëm 64.8 milionë lekësh për një periudhë 20-vjeçare. Drejtoria e Metrologjisë është anëtare e një rrjeti organizatash ndërkombëtare në fushën e matjeve, të cilat kanë investuar ndër vite në përafrimin e legjislacionit, trajnimin e stafit dhe rritjen e kapaciteve teknike. Vetëm për kontrollin e shpërndarësve të karburanteve, ky institucion zotëron shtatë laboratorë të lëvizshëm me vlerë mbi 73 milionë lekë dhe një staf të kualifikuar”, thuhet në artikull.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here