Bypass-i i Fierit, Rama: Javët në vijim finalizojmë kontratën, TAP i jep 1 mld euro ekonomisë, ja detajet

0
526

Mazhoranca qeverisëse është e vendosur për të rritur ekonominë dhe investimet në infrastrukturë. Kjo është bërë e ditur ditën e djeshme nga kryeministri Edi Rama. Teksa dje ishte i pranishëm në nisjen e punimeve për seksionin detar të TAP-it që do të sigurojë lidhjen e gazsjellësit me Italinë, shefi i qeverisë theksoi rëndësinë e madhe që ka ky projekt për perspektivën e ekonomisë shqiptare, duke i dhënë sipas tij, plot 1 miliardë euro. Po ashtu, Rama njoftoi se javën e ardhshme do të nënshkruhet kontrata për By Passin e Fierit, një nga nyjet më të rëndësishme të qarkullimit në vend.

“Kështu që mund të them me plot gojën se në javët në vijim do të mund të finalizojmë kontratën dhe pastaj të fillojmë për të mos ndaluar më punimet, natyrisht me ato standarde që kemi nisur t’i tregojmë me punët në infrastrukturën publike. Mendoj që ia vlen të nënvizohet po ashtu, se ekonomia shqiptare, falë gazsjellësit do të përfitojë afro 1 miliardë euro injeksion në dy dekadat e ardhshme dhe këtë e thotë një studim i Universitetit të Oksfordit. Tanimë, rreth 80% e projektit ka përfunduar dhe fillon edhe sfida e fundit, lidhja me anën tjetër të detit, me Italinë, krijimi i seksionit detar që ka një gjatësi prej 37 km në territorin e ujërave shqiptare dhe 25 km në territorin italian, bashkë me 43 km në ujërat ndërkombëtare. Ky projekt ka rritur punësimin në vend”, deklaroi ai. Ndërkohë po ditën e djeshme, kryeministri Edi Rama iu është përgjigjur akuzave të opozitës lidhur me check up-in falas. Përmes një statusi të publikuar në rrjetet sociale, shefi i qeverisë ka publikuar një tabelë, ku tregohet pasqyra e viteve të fundit. “Check up është një pasqyrë ulëritëse e dallimit mes vëmendjes sime, e gjitha tek njerëzit dhe vëmendjes së tyre, që është e gjitha tek unë. Ata kanë shpifjet e akuzat vulgare kundër kontrollit mjekësor bazë, unë kam mbi 1.2 milionë dëshmitarë që kanë bërë check up falas deri më tani”, shkruan kryeministri Edi Rama, ndër të tjera në statusin e tij.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here