Vetingu zbret te Krimet e Rënda, Bujar Sheshi jep sqarime para KPK, përshpejtohen procedurat për ngritjen e SPAK

0
731

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit duket se tanimë do ta fokusojë punën e tij tek gjyqtarët dhe prokurorët e Krimeve të Rënda. Teksa lista e emrave prioritarë është drejt përfundimit sepse kanë mbetur edhe vetëm pesë persona që kanë ngelur pa u vetuar, KPK është “hedhur” tek anëtarët e Gjykatës së Krimeve të Rënda dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda. Ditën e martë në sitë do të kalojë prokurori pranë Prokurorisë së Apelit për Krime të Rënda, Bujar Shehi. Seanca dëgjimore për të do të zhvillohet në orën 13:30, ndërsa trupa gjykuese përballë së cilës prokurori do të japë llogari do të përbëhet nga Pamela Qirko, Xhensila Pine dhe Genta Tafa Bungo. Por fakti që Komisioni i Pavarur i Kualifikimit është fokusuar tek Krimet e Rënda tregon se po përshpejtohen procedurat për ngritjen e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion. Sipas ligjit, prokurorët dhe gjyqtarët e Krimeve të Rënda që kalojën vetingun, automatikisht kanë të drejtë të bëhen pjesë e SPAK, vetëm nëse vendosin ata të tërhiqen. “Prokurori në detyrë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda të Shkallës së Parë ose të Apelit qëndron në pozicionin e tij deri në momentin e krijimit të Prokurorisë së Posaçme, me përjashtim të rasteve kur ka shkaqe për mbarimin e statusit të magjistratit, në zbatim të pjesës III, kreu VIII, të këtij ligji, ose si rezultat i procesit të rivlerësimit, në përputhje me ligjin “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”. Këshilli i Lartë Prokurorisë cakton në mënyrë të përhershme prokurorët në Prokurorinë e Posaçme për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar”, thuhet në ligj. I njëjti përcaktim vlen dhe për gjykatësit.

Emrat e tjerë

Përveç Bujar Sheshit që do të përballet me vetingun të martën e që nëse rikonfirmohet në detyrë i lind e drejta për anëtar te SPAK, ka edhe një sërë emrash të tjerë që presin të dalin para KPK. Deri tani, duke numëruar edhe listën prioritare, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka hedhur katër herë shortin për gjyqtarët dhe prokurorët që do të kalojnë në skaner, ndërsa pjesë e tyre janë edhe prokurorët e Krimeve të Rënda, të Prokurorisë së Apelit për Krimet e Rënda dhe të Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda. Midis këtyre emrave mund të përmendim: Arenc Çela, prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda; Olsian Çela, prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda; Behar Dibra, prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda; Albana Boksi, gjyqtare në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda; Dhimitër Lara, gjyqtar në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda; Dhurata Haveri, gjyqtare në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda; Gurali Brahimllari, gjyqtar në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda. Të gjithë këta emra, nëse e kalojnë me sukses “sfidën” e vetingut, mund të jenë pjesë e SPAK. Vlen të theksohet fakti se deri tani kanë kaluar me sukses procesin e vetingut disa emra të Krimeve të Rënda, të cilët, nëse pajtohen me rregullat, mund të bëhen automatikisht edhe pjesë e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion: prokurorët Gentian Osmani e Besnik Muçi si edhe gjyqtarët Nertina Kosova dhe Dritan Hallunaj. Që të jenë pjesë e SPAK, anëtarët e Krimeve të Rënda duhet të pranojnë të përgjohen e llogaritë e tyre bankare të jenë në monitorim gjithë kohën.

Mimoza Ibra

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here