Sistemi gjyqësor drejt kaosit, 21 gjykata në vend mbeten pa kryetarë, KLD prej 5 muajsh asnjë mbledhje

    0
    383

    Sistemi i drejtësisë po shkon drejt kolapsit. Vonesat me procesin e vetingut kanë bërë që të mos ngrihen organet e reja si Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor, organe të cilat kanë në dorë emërimin dhe shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Mungesa e tyre ka sjellë kaos si në gjyqësor ashtu dhe në prokurori, pasi momentalisht nuk mund të shkarkohet asnjë gjyqtar e prokuror i gjetur me shkelje dhe nuk plotësohen dot vendet vakante. Përveç kësaj, gjykatat rrezikojnë të mbesin pa kryetarë. Momentalisht janë 21 kryetarë gjykatash që janë pa mandat. Në qershor 2018 ishte vetë KLD që ngriti shqetësimin se ishin 11 kryetarë gjykatash që duhej të zëvendësohen. Por më 17 tetor kjo shifër ka shkuar në 21. Gazeta ka siguruar nga KLD listën me të gjithë krerët e gjykatave që u ka mbarur mandati dhe bëhet fjalë për emra të njohur nga shumë qytete. Më 17 tetor u mbaroi mandati 4 prej tyre, më konkretisht: Jona Qeleshit, kryetare e Gjykatës në Durrës, e emëruar më 17.10.2014; Alfred Gjonit; Kryetar i Gjykatës së Kurbinit, emëruar më 17.10.2014; Arben Zefit, Kryetar i Gjykatës në Shkodër, emëruar më 17.10.2014; Skënder Halucit, Kryetar i Gjykatës në Vlorë, emëruar më 17.10.2014. Sipas ligjit, kryetarët e gjykatave kanë mandat 5 vjeçar dhe është Këshilli i Lartë i Drejtësisë ai që bën emërimin e tyre. Por me ndryshimet që u bënë në ligjin për statusin e gjyqtarëve e prokurorëve dhe në ligjin për organet reja të drejtësisë, KLD nuk bën dot asnjë emërim apo shkarkim. Përveç kësaj, KLD ka mbi 5 muaj pa u mbledhur. Mbledhja e fundit është në qershor, kur dhe u ngrit shqetësimi për krerët gjykatave, por që atëherë nuk ka pasur asnjë mbledhje për të vendosur se çfarë do të ndodhë me ta. Gazeta ka mësuar se të gjithë pritet të urdhërohen të rrinë në detyrë derisa të zgjidhen pasardhësit. Por nëse ndodh kjo, atëherë duhet të pritet KLGJ. Fakti se kemi 21 kryetarë gjykatash pa mandat dhe se KLD ka refuzuar shkarkimin e të gjithë emrave të gjetur me shkelje, tregon se gjyqësori është jashtë kontrollit.

    Kaosi në drejtësi

    Për shkak të vonesave që kanë ardhur nga reforma në drejtësi, sot njerëzit e sistemit gjyqësor nuk marrin asnjë përgjegjësi për vendimet që marrin dhe . Në vitin 2016 u miratua ligji për organet e qeverisjes në sistemin e drejtësisë, ku përcaktohet ngritja e KLGJ, KLP dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Por këto organe nuk po ngrihen dot dhe kanë futur në kaos gjithë sistemin e drejtësisë. E vërteta është se prej dy vitesh njerëzit e drejtësisë nuk kontrollohen dot dhe për më tepër nuk merren dot masa disiplinore. Para vitit 2016 ishte Ministria e Drejtësisë, Inspektorati i KLD dhe Drejtoria e Inspektimit në Prokurorinë e Përgjithshme që kryenin inspektime në prokurori e gjykata për të zbuluar shkelje dhe më pas merreshin masa disiplinore. Por në ligjin për organet e drejtësisë, këto detyra i kanë kaluar Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Ky organ do merret vetëm me inspektimet dhe atje ku ka shkelje, propozon masa disiplinore. Mirëpo ky Inspektorat nuk po ngrihet për shkak të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Ky organ ka mbetur me 4 anëtarë, pasi 5 kanë ngelur në veting. Por presidentit nuk hedh shortin për vendet vakante dhe KED nuk merr dot vendim. Sipas ligjit, është ai që i propozon Kuvendit Inspektorin e Drejtësisë. Pra sinjalet janë se nëse KLGJ e KLP nuk ngrihen afër, do kemi kaos në drejtësi.

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here