Zgjaten sërish hetimet për ish-ministrin e Brendshëm Samir Tahiri

    0
    636

    Në një kohë kur sot pritej që të vendosej ‘fati’ i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri lidhur me hetimet, Krimet e Rënda kanë shtyrë sërish afatet. Mësohet se Vendimi për shtyrje për një periudhë 3 mujore është marrë nga 4 prokurorët e çështjes ‘Tahiri’, përkatësisht; Gentian Osmani, Arenc Çela, Dritan Prenci si dhe Vladimir Mara.

    Shkak i shtyrjes së hetimit është bërë pritja e përgjigjes së një letërporosie nga Bari, ku kërkohet marrja në pyetje e shtetasit italian Frederico Silvestri, që dyshohet se disa kohë më parë u ka shitur grupit kriminal ‘Habilaj’ një skaf që mendohet se është përdorur për transportin e drogës. Kujtojmë se për këtë çështje prokuroria ka marrë edhe disa letërporosi nga Greqia, Mali i Zi dhe Italia.

    Hetimet për ish-ministrin vijojnë prej 1 viti, por prokurorët s’kanë mundur të përfundojnë hetimet, ndaj kanë vendosur që t’i japin kohë vetes edhe për 90 ditë.

    Dokumenti Tahiri

    “Është e nevojshme zgjatja e afatit hetimor për tre muaj për të realizuar edhe disa veprime të tjera hetimore si: Administrimi i përgjigjes së një kërkesë për ndihmë juridike dërguar në Republikën e Italisë, kryerja e disa verifikimeve të tjera mbi një letërporosi të administruar nga Republika e Malit të Zi dhe kryerja  e verifikimeve pasurore.” -thuhet në vendimin e prokurorëve.

    Lidhur me këtë vendim të ri të prokurorëve, ish ministri i brendshëm ka të drejtën e ankimimit në gjykatë brenda 10 ditëve nga njoftimi.

    Në një lidhje direkte për ‘News24’ gazetarja Lala bëri një bilanc të hetimeve 1-vjeçare nga ana e prokurorisë për Tahirin, çështja e të cilit konsiderohet ‘patatja e nxehtë’ e drejtësisë.

    “Prokurorët argumentojnë se do t’u duhet të kryejnë edhe veprime të tjera hetimore pas ardhjes së letër-porosisë nga Mali i Zi. Katër prokurorët e çështjes vendosën që afatet të zgjaten deri në 17 janar të 2019-ës. Çështja ‘Tahiri’ është një çështje komplekse dhe e vështirë, pasi provat e mëdha që pritet të merren janë nga letër porositë, Siç është dhe rasti i Greqisë, ku thuhet se Tahiri është takuar me çështjen e Habilajt. Çështja ‘Tahiri’ është konsideruar si ‘patatja e nxehtë’ e drejtësisë, për shkak se ka qenë dhe në shënjestër të akuzave. Sytë e të gjithëve ishin sot tek Prokuroria e Krimeve të Rënda, nëse Tahiri do të shkonte në gjyq, apo do të pushohej çështja ndaj tij. Ndaj Tahirit rëndojnë 4 akuza, për të cilat ai mund të rrezikojë 15 vite burg. Saimir Tahiri ka thënë më herët se lufta më e madhe do të jetë provimi i pafajësisë së tij. Ndaj ngelet për t’u parë se çfarë do të bëjë prokuroria deri në janar. Deri më tani nuk dihet nëse do të shkojë në burg një ministër. Tahiri ka fituar dy beteja me drejtësinë, së pari kur mori mbrapsht dokumentet e tij si pasaportën, por edhe kur iu ndryshua masa ‘arrest shtëpie’”, pohoi Lala.

    Ish-ministri po hetohet pas publikimi të përgjimeve të grupit ‘Habilaj’ që permendim edhe emrin e tij. Po ashtu ai po hetohet për faktin nëse ka krijuar apo jo lehtësira grupit të Habilajve, për kultivimin dhe më pas trafikimin e kanabisit drejt Italisë, gjatë kohës që ai mbante detyrën e ministrit të Brendshëm.

     

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here