Metropol sjell në fundjavë “Kryet e hudhrës”, vepra e shkruar në 1923 që hodhi themelet e komedisë në Kosovë

    0
    590

    Teatri Metropol vazhdon traditën me premierat e tij. “Kryet e hudhrës”, e shkruar nga Kristë Berisha do të vijë në skenë me regji nga Sonila Kapidani. Sezoni i dytë artistik tetor-dhjetor sjell vepra shqiptare të arkivit, e vepra të njohura në mbarë botën, duke përfshirë në këto projekte aktorë karriere apo aktorë të rinj, regjisorë me eksperiencë apo me potencial të ri artistik. Në vijim të veprave të arkivit prezantohet një tjetër shfaqje me regji nga Sonila Kapidani. “Kryet e hudhrës” bazuar në tekstin e autorit Kristë Berisha (Pejë, 1923) vjen në skenë dhe me përpunim të tekstit dramatik nga Shkëlzen Berisha. Kjo komedi është shkruar e botuar në zhanrin e “commedia dell’arte” dhe sipas studiuesve ka hedhur themelet e komedisë në Kosovë. Regjisorja Sonila Kapidani rolet në vepër ia ka besuar aktorëve Aleksandër Kondi, Ermir Hoxhaj, Silvio Goskova, Urim Aliaj, Shejla Domi, Edvin Mustafa, Klea Konomi, Klesta Shero, Elona Hyseni dhe Sedmir Memia. Vepra vjen në skenë në datë 13 tetor edhe në kuadër të festivalit Metrofest në Metropol.

    Situatat komike dhe personazhet e njësuara me figura nga komedia e artit, si il magnifico, arlekino, Brigela, e shumë të tjerë, do të sjellin një pasqyrë vitale dhe të zmadhuar të shoqërisë dhe marrëdhënieve të përditshme në dy ambiente; profesionit dhe shtëpisë, pra jetës profesionale dhe asaj individuale. “Comedia dell’arte” është një formë e bazuar në trupin e aktorit dhe lëvizjen, duke kaluar tekstin në nivel joparësor. Në vepër karakteret janë tipike dhe përfaqësojnë modele universale të natyrës njerëzore dhe sillen në jetë nga mënyra si lëvizin, nga ngjyrimet e zërit me të cilin flet, forma që i jep trupit dhe përdor fjalët dhe tingujt. “Pasqyron sjellje të njeriut dhe çaste të jetës së përditshme, në një formë më dinamike, më e zmadhuar, më e shpejtë, më e zhurmshme, më e egër dhe për ta bërë këtë formë të pëlqyeshme kjo formë duhet të jetë edhe më e strukturuar dhe e disiplinuar”, bëhet me dije për shfaqjen. Për këtë shfaqje teatrore trupa e aktorëve më herët ka nisur punën me trajnim mbi këtë zhanër, vijuar nga procesi artistik. Efektet speciale janë përgatitur nga Arjan Serjanaj, kostumografe Suzana Bodinaku, skenograf Klaid Ymeri dhe as/regjisore Elona Hyse.

    Problematikat dhe shoqëria

    A e ul ndjeshmërinë dhe forcën humane pangopshmëria materiale? Kjo pyetje i fton spektatorët në shfaqjen e komedisë “Kryet e hudhrës” nga Kristë Berisha në Teatrin Metropol. Kjo komedi ka figura komike të një periudhe më të vjetër të rrugëtimit të shqiptarëve në këtë botë, por që përmbajnë problematika me të cilat shoqëria ndeshet edhe sot në një botë të rrëmujshme dhe shumë materialiste si respekti, sinqeriteti, dashuria, fuqia e artikulimit të problemeve. Regjisorja Sonila Kapidani është e njohur për punën e saj me veprat teatrore të arkivit. E njohur për drejtimin e platformës edukative në Teatrin Metropol, Sonila Kapidani gjithashtu ka një përvojë mësimdhënieje në institucione të arsimit në Shqipëri, që nga viti 2002. Në formimin e saj arsimor përfshihet diplomimi në Arte/Piano në Selanik të Greqisë, diplomimi si regjisore teatri në Universitetin e Arteve në Tiranë, kualifikime ndërkombëtare mbi teatrin pa fjalë dhe të folurit në publik, si dhe studimet master në Antropologjinë e Edukimit pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike. Sonila Kapidani që nga viti 2003 është e angazhuar si regjisore/aktore dhe drejtuese projektesh teatrore, me një repertor veprash kryesisht nga drama shqipe./ Julia VRAPI

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here