Koncerti “Ti Tironë dashni e madhe” vjen sonte në mbrëmje për publikun në amfiteatrin e liqenit në Tiranë. Sinan Hoxha, Valbona Mema, Pajtim Struga, Greta Zani, Xhavit Dedej, Altin Shira, “Fanfara Tirana” dhe “Trade Folk Albania” janë pjesë e koncertit të mbrëmjes së sotme. Drejtori artistik Ekland Hasa tregon se do të sjellin këngët më të bukura të Shqipërisë së Mesme. Pianisti i njohur njëkohësisht dhe drejtor artistik i koncertit Ekland Hasa pohon se ky është një nga eventet më të rëndësishme muzikore, që janë zhvilluar në skenën e amfiteatrit. “Mendoj se është pjesë e një serie eventesh, si koncerti me muzikë tropojane, shkodrane dhe pason me koncertin e këngës tradicionale tiranase. Është një koncert që vjen krejtësisht live”, pohon mes të tjerave pianisti Ekland Hasa. Këtë herë drejtor artistik Ekland Hasa këtë koncert e krahason me një lojë futbolli sa i përket ekipit të këngëtarëve, që janë përzgjedhur për të kënduar. “Më duket si një skuadër futbolli që niset për të fituar ndeshjen. Natyrisht ndeshja mund të fitohet, barazohet dhe humbet.
Ne shpresoj që të mos e humbim këtë ndeshje dhe jam i sigurt, që ne do të kemi një lloj rivelacioni jashtëzakonisht të madh në publikun tiranas” tregon ai për koncertin mbrëmjen e sotme, që sjell këngët live për publikun. Në këtë koncerti vijnë edhe këngë të vjetra, por të ardhura në kohë. “Kënga “Qan lulja për lulen”, që është një version i vjetër, është riparë në një tjetër prizëm. Unë jam këtu sepse dëshiroj që të futet një element tjetër që të mishërohet sa më tepër me tradicionalen e muzikës tiranase. Janë disa zhanre të tjera muzikore të kontaminuara për sa i përket pikëpamjes së orkestracionit si funky apo pop, pa prishur në mënyrë absolute skeletin harmonik apo strukturën e këngës tiranase” vijon Hasa në reagimin e tij. Këngëtarët që janë sonte pjesëmarrës në koncert janë të njohur me aktivitetin e tyre muzikor në skena të ndryshme. Publiku i ka ndjekur dhe më parë disa prej tyre jo vetëm në koncerte recitale, por dhe pjesë në evente të ndryshme të traditës. Këtë herë është koncerti “Ti Tironë dashni e madhe” që i mbledh të gjithë bashkë në një skenë.