Genti Kame: Arti në krizë, një vend rilind nga arti dhe kultura jo nga fasadat

0
623

Drama “Terror” premierë në skenën teatrore për publikun. Vepra e autorit gjerman Ferdinand Von Shirach me regji nga Gëzim Kame ka bërë bashkë një kastë të njohur aktorësh në skenë. Producenti Genti Kame tregon se drama e autorit gjerman me profesion jurist vjen në skenën shqiptare, pasi është shfaqur në mbi 80 teatro në botë. Në shfaqje interpretojnë një kastë aktorësh të njohur, si Viktor Zhusti, Lulzim Zeqja, Eva Alikaj,Yllka Mujo dhe Astrit Hasani. Në intervistën për “SOT” këtë herë si producent Genti Kame tregon se publiku voton në fund të shfaqjes, pasi të ketë ndjekur gjithë procesin gjyqësor. Sipas tij është një dramë e fortë, që përcjell mesazhe dhe jo vetëm për publikun që është risi për t’u parë, por dhe nga ana juridike është një shkollë më vete. Në intervistë aktori Genti Kame ndalet dhe në zhvillimet e jetës artistike. Sipas tij buxhetet janë të ulëta dhe kjo ndikon në realizimin e shfaqjeve në teatër por dhe në filmat shqiptarë. Sipas tij, sot të bësh një film është shumë e vështirë dhe prodhimi i tyre mbetet në nivel festivalesh pasi nuk mund të shiten jashtë. Genti Kame shprehet se edhe arti është një industri, e cila ku nuk ka para, ku nuk ka fonde është shumë e vështirë që të krijohet në mënyrën e duhur.

 

-Drama “Terror” po vijon për publikun në skenën e teatrit. Një vepër teatrore që ka ngjallur interesin e publikut. Çfarë mund të na thoni për realizimin e saj?

Drama “Terror” e autorit gjerman Ferdinand Von Shirach, vjen për herë të parë në skenën shqiptare, pasi është përkthyer në 41 gjuhë dhe është shfaqur në mbi 80 teatro nëpër botë, duke ngjallur shumë interes dhe polemika njëkohësisht. Vetë autori është me profesion jurist dhe në moshën 45 vjeçare filloi duke shkruar novela, që ecën shumë mirë dhe u bë shumë i njohur në Gjermani. Ngjarja ndodh në gjykatë, aty ku po zhvillohet një seanca gjyqësore mbi atentatin terrorist më të rëndë të vitit. Fati i një piloti, i cili rrezikon të dënohet më burgim të përjetshëm, pasi zgjodhi të vrasë 164 pasagjerë në vend të 70.000 sportdashësve në një stadium, do të varet nga vendimi i gjykatës, por dhe i njerëzve të thjeshtë të cilët do të vlerësojnë nëse piloti është vrasës apo hero. Ideja është, ky person ka vepruar mirë apo gabim dhe janë dy linja. Është morali personal nëse ky person për të shpëtuar 70 mijë veta, ka vrarë vetëm 164 që gjithsesi do të kishin vdekur brenda në stadium duke vrarë dhe shumë të tjerë, apo ushtari mbron civilët nuk ka të drejtë të vrasë civilë sido që të jetës situata. Risia, publiku vetë voton në fund të shfaqjes, pasi të ketë ndjekur gjithë procesin gjyqësor dhe sentencën përfundimtare të prokurores, që është ana e akuzës dhe avokatit që është ana e mbrojtjes. Dhe në fund gjyqtari jep vendimin në bazë të votave të mbledhura nga publiku si juri popullore. Kjo do të ndodhë çdo natë të shfaqjes, ku do të votojë publiku. Pra është një seancë gjyqësore e dramatizuar, por është një gjyq i mirëfilltë. Nga ana e jurisprudencës është një perlë, pra është një shkollë që do ta shijojnë jo vetëm publiku që merr pjesë në jurinë popullore, por dhe njerëzit e fushës, sepse është shkruar nga një jurist kjo vepër.

-Në skenë për premierën kemi një kastë aktorësh të njohur?

Është një kastë aktorësh tejet e përzgjedhur, një punë regjisoriale dhe një koncept regjisorial tërësisht novator. Një shfaqje, që nuk është vënë në skenë në Shqipëri. Kjo vepër e këtij dramaturgu është vënë në 80 teatro në botë, është edhe si film. Ne po përpiqemi ti blejmë të drejtat televizive, që të mundemi ta filmojmë dhe ti mbetet repertorit shqiptar. Sepse jo vetëm për publikun që është risi dhe shfaqje perlë për t’u parë, por dhe nga ana juridike është një shkollë më vete. Sidomos tani që ne jemi në procesin e Vetingut, i bëjmë thirrje të gjithëve të vijnë ta shohin dhe përfshihet edhe publiku edhe politika, sidomos publiku që sensibilizohet për marrjen pjesë në vendimmarrje të drejtësisë.

-Pra edhe publiku bëhet pjesë e shfaqjes?

Ideja regjisoriale është që publiku të votojë. Publiku të jetë pjesë integrale e shfaqjes. Ne në fund nxjerrim votat e publikut. Një dramë e fortë në skenë, sepse ne kemi dy ligje. Kemi të respektojmë ligjin ashtu si është shkruar, por ligji është pikë dhe presje dhe nuk përmban brenda edhe jurisprudencën nganjëherë, prandaj dhe vendimet gjyqësore janë krejt të ndryshme. Por publiku mund të pres nga ligji siç është e shkruar, sepse ka jurisprudencë brenda, pra ka interpretim midis linjave. Në këtë rast ky pilot ka bërë mirë, që ka vrarë 164 persona të pafajshëm sepse shpëtoi 70 mijë të tjerë, apo nëse do të kishte respektuar ligjin siç është e shkruar gërmë për gërmë mund të kishte lënë dhe dy minuta kohë këtyre njerëzve që mbase ata të çliroheshin nga ky terrorist. Pra të gjitha këto hamendësime hidhen në këtë sallë gjyqi dhe publiku në fund vendos nëse jeta e një njeriu, një jetë është një jetë, apo një jetë nuk vlen sa dhjetë. A është jeta ajo që të ka dhënë zoti dhe vetëm ai ka të drejtën e vendimmarrjes apo ligji e parashikon dika tjetër. Pra të gjitha këto argumente hidhen në sallë gjyqi.

-Si artist nga ana artistike vetë ku je i përqendruar këto kohë?

Profili im është më tepër i kinemasë, dhe kisha dëshirë që të merrja pjesë dhe në këtë vepër teatrore, por ngarkesa e produksionit nuk më lejoi këtë. Koha fizike ishte e pamundur, që unë ti bëja të dyja.

-Si pjesë e komunitetit artistik, çfarë të shqetëson në zhvillimet e jetës artistike?

Realiteti artistik në Shqipëri është i lidhur me jetën e përditshme. Në fushën e teatrit ka lëvizje, ka shumë talente dhe njerëz që kanë gjëra për të thënë dhe bërë, por arti është i varur nga ekonomia dhe politika. Arti në radhë të parë është biznes, është një industri. Një industri, e cila në një vend ku industritë e tjera nuk janë të zhvilluar, ku nuk ka para, ku nuk ka fonde është shumë e vështirë që të krijohet në mënyrën e duhur. Duhet që arti dhe kultura të jenë të lidhur bashkërisht me zhvillimin e përgjithshëm të një vendi. Nuk mund të shkojnë veç e veç. Artistët dhe aktorët sado krijues mund të jenë me këto rroga paguhen, me këto çmime dhe me këtë nivel ekonomie përballen çdo ditë. Pra edhe produksioni i tyre varet nga ekonomia e përditshme. Nuk janë njerëz me status të veçantë.

-Buxheti është pohuar problem edhe për institucionet e artit nga artistë të ndryshëm, gjithmonë kërkohet më tepër për jetën artistike. Si ndikon kjo?

Buxhetet janë shumë të pakta. Ka shumë pak salla teatri dhe kinemaje, shumë pak para për të bërë shoë siç e bën gjithë bota, që veprat artistike shqiptare të shiten edhe jashtë. Nëse ti nuk ke nivelin teknik, nëse ti gysmën e produksionit të një filmi do të duhet ta marrësh nga jashtë atëherë të shkon kosto pothuajse sa atje. Me çmimet vendase është e pamundur të jesh konkurrues jashtë. I njëjti problem dhe me teatrin. Niveli ekonomik është aq i ulët sa shumica e familjeve e kanë të vështirë, që ti përballojnë 3-4 bileta një natë në teatër dhe kinema, të jemi realistë. Në këto kushte duhet të ulësh çmimin e teatrit, por me çfarë do të paguash aktorët? Një aktor, një artist ka një punë një vjeçare sepse punon në shtëpi, shkruan, dhe është një punë që nuk i paguhet. Artisti me këto para jeton dhe janë shumë të pakta.

-Dhe çfarë duhet bërë në këtë situatë?

Po të marrim buxhetet e teatrit dhe filmit janë shumë të ulëta. Nuk mundet të konkurrosh jashtë. Për kinemanë shqiptare mund të bësh ndonjë film që ngelen në nivelin e festivaleve, por nuk mund të shiten, e kanë shumë të vështirë të shiten jashtë. Tregu shqiptar është 3 milionë banorë, por nuk e mban një prodhim. Kërkon buxhete nga shteti ose do një rivitalizim, do ligje për sponsorizimin, do ulje taksash për prodhimet artistike apo të hiqen fare, që të rivitalizohet pak. Kush thotë teatër dhe kulturë ka thënë shkollim, ka thënë dije, më shumë spektatorë në teatër më pak njerëz në burg. Nëse duam të rilindim një vend duhet ta rilindim nga arti dhe kultura jo nga fasadat. Një vend i varfër ka teatër dhe kinemanë të varfër. Duhet një zhvillim i përgjithshëm. Nuk mund të mbahet arti dhe kultura nga e përgjithshmja e Shqipërisë. Është një industri e pazhvilluar si të gjitha industritë e tjera të pazhvilluara, edhe është një industri në krizë.

-“Terror” po vijon në Tiranë, mendoni të jeni dhe në skena të tjera në rrethe me këtë dramë?

Mendoj se duhet të jemi. Por duhen parë dhe datat, sepse mund të kemi probleme, pasi një teatër mund ta ketë zënë me trupën e tij. Por një shfaqje, që ndërpritet një javë, një muaj e dy muaj, artisti nuk është një kukull që e shtyp butonin dhe flet. Artisti kërkon një vazhdimësi.

-Folët për kinemanë ku ju jeni i fokusuar. Të bësh një film sa e vështirë është?

Të bësh një film në Shqipëri është gati e pamundur. Nëse do të bësh një film kërkon para. Filmi kushton, teknika kushton. Kamera ka një çmim dhe atë e ka në Shqipëri si është edhe në Gjermani, Itali, etj. Teknika po ashtu ka çmim. Nuk mundemi ne të bëjmë filma më lirë. Dhe ku do kursejmë? Do kursejmë te rrogat, te postproduksioni, të pagesat. Është shumë e vështirë dhe ka shumë problem. Por dhe media duhet të bëjë më shumë promovim të shfaqjeve dhe filmave, jo vetëm ajo e shkruar, por edhe ajo televizive.

Intervistoi: Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here