Zbardhet dëshmia e Ervis Martinajt për përplasjen me armë në Bllok, ja si nisi konflikti

0
594

Pas atentatit që tronditi kryeqytetin të ndodhur mbrëmjen e së enjtes në zonën e ish-Bllokut, ka dëshmuar një ndër protagonistët kryesor të konfliktit me një të vrarë dhe dy të plagosur, Ervis Martinaj. 36-vjeçari, ka mohuar se ishte planifikuar një përplasje apo një sherr me armë mes dy grupeve, por gjithçka ka ndodhur në gjaknxehtësi e sipër. Në dëshminë e tij, Martinaj ka sqaruar se kishte shkuar në lokal për t’u sqaruar me Matajn, dhe jo për t’u përplasur. Madje Martinaj thotë se ka tentuar ta shmangë sherrin. Sipas 36-vjeçarit, nëse Marvioll Billo, personi që dyshohet se qëlloi me armë në lokal atë mbrëmje, nëse donte vërtetë ta vriste mund ta kishte bërë, pasi ka qenë i shtrirë i plagosur, por nuk ka pasur lidhje me atë konflikt prandaj dhe Billo nuk e ekzekutoi.

“Unë e njihja prej kohësh si komandon, ashtu edhe Matën. S’kemi pasur konflikte me njëri-tjetrin, nuk shkuam për t’u vrarë, por për t’u sqaruar. Nëse do donin të më vrisnin, unë do isha i vdekur sot. Pasi u plagosa pa dashje në qafë dhe truprojat e mi u vranë. Por komando nuk qëlloi mbi mua, dhe pse unë isha i shtrirë. Plumbi më kapi pa dashje. Sherri nuk ka ndodhur për asnjë femër, sepse nuk vuaj unë për to që të shkoj të vritem për ato”, mësohet se ka thënë Martinaj. Grupi hetimorë e ka vështirësi për të zbardhur tërësisht dinamikën e ngjarjes, për shkak të mungesës së kamerave në ambientet e brendshme të lokalit ku ndodhi ngjarja. Megjithatë nga dëshmitë e mbledhura të personave që kanë qenë të pranishëm në ngjarje, hetuesit e kanë krijuar një ide se si erdhi përplasja. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se në dosjen e prokurorisë janë regjistruar 11 persona të përfshirë në sherr.

5 prej tyre kanë qenë në tavolinë me Ervi Matën, kurse 6 me Martinajn. Ende prokuroria nuk ka mundur ti identifikoi të gjithë personat që kanë marrë pjesë në sherr, por po punohet për identifikimin e tyre. Ndërkohë, përpara grupit hetimorë për këtë ngjarje të rëndë, Martinaj i ka thënë hetuesve se Gaxhaj i kishte nxjerrë probleme edhe herë tjetër për shkak të temperamentit të tij. Matinaj, i cili ndodhet ende i shtruar në spital, ka treguar përpara prokurorëve edhe pse kishte qëndruar larg grupit të Matajt, megjithëse kishin lënë takim bashkë për t’u sqaruar. Edhe pse Mata kishte një orë e gjysëm që më priste unë u ula në banak dhe jemi gërric me sy, dy truprojat e mi me komandon që dhe qëlloi. Më pas, vjen Gaxha me një tjetër roje dhe godasin me qytën e pistoletës komandon. Unë ja bëra me shenjë që ta linin, në këtë moment Gaxhës, i shkrepi pistoleta në ajër padashje. Në këtë moment ndërhyri komando që qëllon, duke vrarë Fabiol Gaxhën”, ka thënë Ervis Martinaj mbi ngjarjen.

Pra sipas Martinajt, pavarësisht tensionit që ekzistonte mes dy grupeve, shkak për degradimin e situatës dhe vrasjes është bërë ndërhyrja e menjëhershme e Fabian Gaxhajt dhe e një personi tjetër që kanë qëlluar komandon Mervjol Billo dhe më pas shkrepja e armës pa dashje nga Gaxhaj. Pikërisht në këtë moment, komando ka reaguar duke qëlluar për vdekje Gaxhajn dhe duke plagosur rëndë truprojën tjetër të Ervis Martinajt dhe vetë atë.

Gjykata dha 30 ditë burg për Martinajn

Mesditën e së dielës, Gjykata Penale e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg për 30 dite” për dy të plagosurit Ervis Martinaj dhe shokun e tij Eljon Hate, pas përplasjes me armë në një lokal në ish Bllok mbrëmjen e se enjtes. Prokurorët Kreshnik Ajazi dhe Artan kërkuan dhënien e masës “arrest me burg” për të dy të arrestuarit, Ervis Martinaj dhe Eljon Hate. Seanca ndaj Ervis Martinaj u zhvillua në ambientet e spital Amerikan 2, aty ku ndodhet i shtruar 36-vjeçari. Ndërkohë, për 28-vjeçarin Eljon Heta, seanca u zhvillua në ambientet e spitalit të Traumës.

Ndërkohë që ngjarja është një nga më të rëndat, që kanë ndodhur në Tiranë muajt e fundit, ajo që vihet në dyshim me zbardhjen e dëshmive, është fakti se motivi i konfliktit ka qenë këngëtarja e njohur Elvana Gjata. Megjithatë, prokuroria ka thënë se nuk është vetëm kjo pista që po hetohet, pasi grupet dyshohet se janë konfliktuar edhe disa ditë para se të ndodhte ngjarja e rëndë në ish-Bllok. Ndërkohë, edhe nga dëshmia e Popeskut, duket se Ervin Mata dhe Ervis Martinaj kishin lënë takim atë ditë, pasi ai thotë se Mata e ka pyetur nëse në lokal mund të vinte edhe Vin Martinaj. Për përplasjen me armë, janë shpallur në kërkim 3 persona, Ervin Mata, Mevjol Bilo,i cili dyshohet se është autor i vrasjes dhe një tjetër shtetas, Fabiol Allushaj. Policia thotë se po punon për kapjen e tyre, ndërsa deri më tani, kërkimet nuk kanë dhënë rezultat. / Elvis MYRTA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here