Opozita del me draft më vete për reformën zgjedhore, kërkon mbulim të fushatës nga taksat e qytetarëve, Basha tradhton aleatët për sistemin

0
427

Opozita ka dalë dje me draft më vete për reformën zgjedhore. Kreu demokrat, Lulzim Basha prezantoi para deputetëve dhe strukturave të PD dhe LSI, platformën e opozitës për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Gjatë fjalës së mbajtur para strukturave, Basha tha se qëllimi i vetëm platformës është të çlirojë zgjedhjet nga krimi. Në kuadër të kësaj deklarate, Basha i vendosi kryeministrit Rama katër kushte. Ai tha se platforma e opozitës konsiston tek: Dekriminalizimi i procesit zgjedhor përmes vetingut të politikës; sistemi i masave kundër shitblerjes së votës; financimi i partive dhe fushatës elektorale; si dhe përdorimi i teknologjive në votim.

Por krahas këtyre katër pikave, ajo ç’ka ra në sy gjatë prezantimit të platformës zgjedhore ishte se PD-LSI në draftin e hartuar kanë kërkuar që të kenë 100% financim shtetëror për fushatat zgjedhore. Teksa socialistët kanë propozuar në draftin e tyre që subjekteve politike t’u ofrohen reklama falas nëpër televizione gjatë fushatave, Basha dhe Kryemadhi kanë propozuar që fushatat e partive politike të financohen nga paratë e taksapaguesve shqiptarë. Një tarifë kjo që do të rëndojë mbi supet e qytetarëve nëse pranohet gjatë diskutimeve. Ndërkaq, demokratët krahas kësaj pike kanë propozuar që të ndalohet për një periudhë të caktuar kohe edhe dhënia e tenderave për kompanitë që financojnë fushatat e partive apo të deputetëve. Ndërsa sa i takon mbulimit mediatik, PD-LSI, kanë propozuar që kostot të jenë të kontrolluara dhe në përputhje me standardet më të mira europiane.

PD kërkon forcim masash për shit-blerjen e votës

Një pikë tjetër ku ka konsistuar platforma e PD, ka qenë dhe ajo e shit-blerjes së votës. Në platformën e prezantuar, PD ka propozuar që ky fenomen të hetohet nga SPAK dhe BKH si korrupsion zgjedhor. Më tej, PD për të ndaluar këtë fenomen ka propozuar gjithashtu që të jepen shpërblime të larta për çdo qytetar që do denoncojë këtë fenomen në polici. Por krahas këtyre pikave, demokratët kanë propozuar që të futet edhe votimi dhe numërimi elektronik në zgjedhje. Një kërkesë kjo e hershme e opozitës. Ndërsa sa i takon çështjes së dekriminalizimit, demokratët kanë vijuar t’i qëndrojnë idesë së vetingut në politikë pasi sipas tyre është e vetmja mënyrë për të shkëputur lidhjet e politikës nga krimi. Më tej, ata kanë propozuar që në kuadër të ligjit të dekriminalizimit të ndalohen të gjithë individët me rekorde kriminale në strukturat drejtuese si dhe në fushatën zgjedhore të kandidatëve dhe partive.

Por një çështje tjetër ku është ndalur platforma e opozitës ka qenë dhe ajo e manipulimit të listave të zgjedhësve. Opozita ka propozuar që në mënyrë që të identifikohen zgjedhësit të përdoret teknologjia si dhe të forcohet akoma më shumë ligji në mënyrë që qytetarët të votojnë sipas vendbanimeve dhe zonave përkatëse. Sakaq, opozita ka propozuar që të meren masa nga qeveria për të plotësuar me urgjencë Regjistrin e Adresave përmes procesit të transparencës. Por krahas këtyre pikave ajo ç’ka ranë sy në draftin e opozitës, është se Basha nuk ka propozuar ndryshim sistemi zgjedhor. Një premtim ky i bërë nga kreu demokrat për aleatët tradicional të PD. Sipas Bashës ndryshimi i sistemit dhe Kodit Zgjedhor do të bëhet vetëm në momentin kur Rama të pranojë paketën e mësipërme të opozitës. / Endri ARIZI

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here