Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, pritet të miratohen shtesat në staf për organet e vetingut

0
404

Kuvendi do të mblidhet ditën e sotme në seancë plenare, ndërsa publik është bërë edhe rendi i ditës. Sipas njoftimit të Kuvendit, gjatë kësaj seance do të diskutohen dhe pritet të miratohen kërkesat e organeve të vetingut për shtim stafi dhe rritje të pagash.

“Projektvendim/ Kërkesë “Për një shtesë personeli në Komisionin e Pavarur t Kualifikimit”; Projektvendim “Për disa ndryshime të strukturës organizative, organikës dhe klasifikimit të pagave të personelit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit”; Projektvendim/Kërkesë “Për shtesë të numrit të punonjësve dhe riklasifikim të pagave të administratës së Institucionit të Komisionerëve Publikë””, thuhet në rendin e ditës. Pak ditë më parë ishte Komisioni i Ligjeve ai që i mori në shqyrtim këto kërkesa të organeve të vetingut dhe miratoi shtesën me 24 punonjës të rinj për të 3 organet kryesore të procesit të vetingut si dhe fondet e kërkuara nga këto organe. Ndërkohë pritet që edhe përgjatë seancës së sotme plenare këto kërkesa të miratohen. Një tjetër projektvendim i rëndësishëm që pritet të miratohet sot është edhe ai për hapjen e garës për tre anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Ky projektvendim u diskutua dy ditë më parë tek Komisioni i Ekonomisë, ku kryetari Erjon Braçe i bëri thirrje Kuvendit që të nxjerrë njoftimin për të aplikuar të interesuarit sepse 3 anëtarëve aktualë, Dhori Kules, Ela Golemit dhe Arben Malajt u mbaron mandati me 3 nëntor. Të tjera projektligje që do të diskutohen sot në Parlament janë edhe: projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr.55/2015, “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë””; projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së huas dhe programit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe KfW Frankfurt Am Main, për financimin e programit “Fondi i investimeve sociale IV”” dhe projektvendimi “Për zgjedhjen e një anëtari të Bordit të Institutit për Studimet e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here