Lëkundet opozita për vetingun në politikë, deputetët bojkotojnë Këshillin e Legjislacionit, PS kërkon verifikim për bizneset e deputetëve

    0
    390

    Opozita duket se është lëkundur nga nisma e saj për vetingun në politikë. Në mbledhjen e djeshme të përbashkët mes Komisionit të Ligjeve dhe Këshillit të Legjislacionit, me përjashtim të deputetit Oerd Bylykbashi dhe ekspertit ligjor, Gazment Bardhi, deputetët e tjerë të PD-LSI nuk morën pjesë. Vendimi i mazhorancës për të marrë opinionin e Komisionit të Venecias në lidhje me nismën e demokratëve duket se ishte shkaku i braktisjes së mbledhjes së djeshme. Kjo për faktin se deputeti i PD, Oerd Bylykbashi e argumentoi braktisjen e mbledhjes nga ana e kolegëve me argumentin se mazhoranca po synon që ta shty në kohë nismën e PD. Ai tha se opozita nuk do të pranojë asnjë vonesë në lidhje me vetingun në politikë pasi do e çojë atë deri në fund. “Opozita nuk do të pranojë asnjë vonesë. Qëllimi juaj është ta shtyni dhe ta hidhni poshtë vettingun. Do e çojmë deri në fund, në të kundërtën vetingun do e bëjnë qytetarët por jo ashtu si i thoni ju”, u shpreh Bylykbashi. Më tej, deputeti demokrat u shpreh se nisma ligjore e opozitës nuk pengon procesin e reformës në drejtësi, por sipas tij kjo është një nismë që plotëson ligjin e dekriminalizimit. “Vetingu është një proces krejtësisht i shkëputur dhe i pavarur nga vetingu në drejtësi. Ai nuk ka asnjë lidhje dhe apo ndikim negativ apo pengesë për vetingun në drejtësi. Vetingu i politikanëve nuk përjashton dhe nuk ka asnjë ndikim për hetimet penale të politikanëve dhe njerëzve të lidhur me ta, nga çdo lloj institucioni hetimi qoftë nga prokuroritë e rretheve qoftë nga prokuroria e sotme e krimeve të rënda apo SPAK dhe BKH kur ato të krijohen. Përkundrazi, ky proces u jep burime dhe raste hetimi këtyre institucioneve”, tha Bylykbashi.

    PS kërkon verifikim për bizneset e fshehura të politikanëve

    Deputeti i PS, njëherësh kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja u shpreh dje në mbledhjen e përbashkët me Këshillin e Legjislacionit se mazhoranca është pro çdo nisme që ka si synim vetingun në politikë. Por sipas Manjës nisma e PD është e cunguar pasi lë jashtë familjarët e politikanëve dhe ata që kanë lidhje të fshehura biznesi me politikanët. “Ne si mazhorancë e kemi shprehur qëndrimin tonë: ka qenë është dhe do të jetë në mbështetje të çdo lloj vetingu të politikës dhe këtë e kemi demonstruar me votë, kur ndryshuam Kushtetutën për dekriminalizimin. Jemi për pastrimin e politikës nga krimi por është e cunguar nisma sepse lë jashtë familjarët e politikanëve dhe ata që kanë lidhje të fshehura biznesi me politikanët. Ndërsa në rrafshin kushtetues dhe ligjor ne kërkojmë respektimin e kushtetutës dhe rregullores së Kuvendit. Jemi për pastrimin e politikës dhe për këtë kemi mbështetur institucionet e posaçme për të luftuar korrupsionin. Bëhet fjalë për të ndërhyrë në Kushtetutë, e kemi marrë në konsideratë nismën e opozitës, por kërkuam një diskutim të gjerë nga ekspertë të fushës, por pse jo edhe marrja e opinionin nga Komisioni i Venecias. “Venecia” është tabani i demokracisë. Jemi dakord me pyetjet, që të depozitohen me shkrim ekspertëve”, tha Manja. Në përfundim të mbledhjes u ra dakord që pyetjet drejtuar eksperteve konstitucionalistë nga opozita dhe mazhoranca të depozitohen me shkrim në sekretari pasi deputeti i PD, Oerd Bylykbashi ngriti shqetësimin se mazhoranca mund të manipulojë draftin.

    Endri Arizi

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here