Birçe Hasko, Bujar Asqeriu dhe Suela Konjari sjellin realitetin shqiptar në filmin“Sfida”

0
677

Filmit artistik “Sfida” ka përfunduar xhirimet. Skenari dhe regjia nga Lulzim Sula. Në rolet kryesore janë aktorë të njohur, si Birçe Hasko, Bujar Asqeriu dhe Suela Konjari. Korça ishte këtë herë vendi ku u zhvilluan xhirimet e filmit “Sfida” që pritet të jetë premierë në muajin e fundit të vitit. “Sfida” vjen si një produksion i ri nga “Production Cinemania” me producent Skënder Jaçe. Filmi trajton një temë të ditës dhe ka në qendër të vëmendjes njeriun e thjeshtë. Një grua, e cila ka ngritur një fasoneri me kurajo të madhe, duke u përballur me konkurrencën dhe një treg të vështirë në këtë fushë, qeraja e lokalit, siguracionet, rrogat e grave të punësuara etj. Kur tregu për shitjen bëhet i vështirë, e sjellin atë në pozita të vështira falimentimi. Por në jetë ka të papritura, dikush i afrohet për ndihmë, ngjarjet rrokullisen në situata të reja dramatike. Si do të vejë fundi i kësaj gruaje të dëshpëruar, e cila jeton e vetme me vajzën e saj? Gjithmonë në jetë ka një forcë energjie, që qënies njerëzore i jep kurajo, për të arritur që të jetë diçka në jetë, duke menaxhuar mirë personalitetin njerëzor. E gjitha kjo ngjarje do të tregohet në filmin “Sfida”, por producenti Skënder Jaçe tregon se tashmë kalon në post-produksion, ku do të ketë një montazh digjital, miksazhin dhe kolonën zanore, që do ti besohet një kompozitori të njohur. “Ai do ta shikoj dritën e projeksionit në premierën e tij të parë në qytetin e Korçës në prag të Krishtlindjeve, ku dhe u xhirua e u mirëprit me ndihmën e madhe të qytetarëve korçarë dhe bashkisë të këtij qyteti”, tregon Skënder Jaçe, producent i filmit.

Aktorët në film

Producenti i filmit Skënder Jaçe tregon se xhirimet në qytetin e Korçës kanë ngjallur shumë interes tek qytetarët. Aktorët në role merrnin vëmendjen e tyre. “Qindra sy e ndiqnin me admirim në sheshin e xhirimit në qytetin e Korçës aktorin e njohur profesor Birçe Hasko. Gjatë kohës që ai përgatitej të fillonte xhirimin vjedhurazi i bëmë disa foto nga pas. Hapat e tij me bastunin në rol, dukeshin sikur i thonin pleqërisë: “Ti s’më mund dot”. Ecte dhe përsëriste rolin me një emocion që vetëm artisti e përjeton aq bukur. Pasi filloj xhirimi, u bënë dy dubla, regjisori nuk po ndihej mirë. Dhe kishte të drejtë. Madhështia e këtij aktori përpara dy infermiereve në role episodike, bëri që ato fillimisht të hutohen dhe të ngatërrohen, por ai di ti nxjerri nga hutimi”, tregon producenti Jaçe, duke pohuar se Hasko është një vlerë, që rrallë do ti vijë filmit shqiptar. Por dhe me aktorin Bujar Asqeriu sipas producentit është komod të punosh. “Bujar Asqeriu, komunikues i thjesht me të gjithë në grupin e xhirimit, këmbëngulës dhe punëtor për realizimin e rolit, aspak euforik për atë çka ka arritur deri më sot, ndaj të gjithë e duan njerëzit e thjeshtë e respektojnë. Kudo e ndalonin rrugëve të qytetit të Korçës e përqafonin nga do, ndalonin për një foto, të rinj e të reja i merrnin autograf, ky është shpirti i artistit i cili me energjinë e tij nëpërmjet roleve, karaktereve që ka krijuar ka përcjellë te populli i vet mesazhin e duhur gjatë karrierës se tij artistike”, vijon producenti. Artiste e roleve të bukura, pohon producenti Skënder Jaçe për aktoren Suela Konjari. Sipas tij, ishte kënaqësi që ishte në rolin kryesor. “E qeshur e dashuruar me punën i dha jetë rolit të saj në këtë film. Gjatë xhirimit në parkun e madh të Korçës u grumbulluan shumë njerëz, të cilët ndiqnin interpretimin e aktorëve gjatë xhirimit. Një studente e mahnitur pas Suelës ju afrua afër dhe i tha e habitur: Të ndoqa kur të xhironin dhe ti qave origjinal pa venë asnjë gjë në sytë e tu, si është e mundur? Ky, është shpirti i artistit ta zbërthej rolin, duke dhënë anën emocionale të tij, sa me ndjenjë aq origjinale”, shprehet producenti Jaçe.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here