May kërcen në fjalimin përmbyllës të Partisë Konservatore: Britania post-Brexit premton shumë

0
445

Në fjalimin përmbyllës të Partisë Konservatore në pushtet, në tingujt e këngës së ABBA-ve, “Dancing Queen” dhe duke kërcyer në skenë, kryeministrja britanike Theresa May theksoi se “Britania post-Brexit premton shumë”.

Ajo deklaroi se ditë më të mira për këtë vend janë përpara. Edhe pse shumë britanikë, pavarësisht nga spektri politik, janë skeptikë për këtë deklarime, fjalimi përmbyllës i kryeministres në konferencën më të përçarë të partisë së saj konservatore në qytetin e Birmingemit përbën një tentativë të stërmundimshme për të rivendosur autoritetin e saj të dëmtuar nga “lufta civile” në radhët e konservatorëve, sidomos për mënyrën e aplikimit të Brexit-it marsin e ardhshëm.

Ish-ministri i Jashtëm britanik, Boris Johnson, sfidanti kryesor i Theresa May për postin e drejtuesit dhe kryeministrit të ri, e cilësoi planin e kryeministres i njohur si “plani Chequers” për lidhje më të ngushta me BE-në në tregtinë e mallrave, por jo atë të shërbimeve, si “një katrahurë konstitucionale që do të çojë në poshtërimin e Britanisë”.

Mbetet të shihet nëse fjalimi i kryeministres demostroi për sytë e konservatorëve dhe publikut të gjerë se Brexit-i do të bënte diferencën në jetën e britanikëve në një kohë kur e ardhmja mbetet një pikëpyetje e hapur brenda Partisë Konservatore britanike, e cila për politikën ndaj Evropës historikisht ka ngrënë shumë koka kryeministrash britanikë.

Sakaq, si për të na e kujtuar një trend të tillë, një deputet konservator ka kërkuar sot zyrtarisht fillimin e garës për ndryshimin e drejtuesit të kësaj partie, i cili është edhe kryeministri i vendit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here