Gazmend Leka sjell ciklin “Lutja” me 24 piktura në galerinë FAB

0
674

Piktori i njohur Gazmend Leka nesër në galerinë e artit FAB me ekspozitën personale “Lutja”. I njohur në aktivitetin e tij krijues, këtë herë piktori Gazmend Leka vjen me një tjetër cikël në pikturë. I fundit që prezantoi për publikun ka qenë cikli me piktura “Taso”, ndërsa këtë herë vjen me 24 piktura të reja në ekspozitën “Lutja”. Në shkrimin shpjegues për ekspozitën kuratori dr. Ermir Hoxha shkruan se në heshtjen tonë, ne të gjithë lutemi, për shëndetin e trupit e më së shumti, lutemi për shëndetin e shpirtit. “Lutja është një akt i gjatë që kryhet në vetmi të plotë. Në shurdhërinë e hapësirës, si për të gjithë ne, ashtu dhe për artistin, ajo është kredhja në një dimension tejet personal, ku rregullat dhe arsyeja tokësore bëhen të pafuqishme e përthyhen”, shkruan Ermir Hoxha, kurator i ekspozitës në galerinë FAB. Për kuratorin lutja është një akt i thellë shpirtëror, para se të ngjizet vepra. “Është shpërthim që paraprin mpiksjen e imazhit mbi sipërfaqen e bardhë sterile. Penelat, telajot, tavoloci i stërmunduar të gjitha janë aty, gati për t’u sakrifikuar. Ta flasësh e ta përflasësh atë, është gjithnjë e vështirë. Pavarësisht bisedave të gjata me artistin, në momentin fundor, logjika të bën të kuptosh, që ajo është një territor metafizik, që nuk duhet prekur, por si pa kuptuar, ajo bëhet e vërtetë për të gjithë ne. Duket sikur artisti krijon gjithçka nga hiçi, pasi krijimin vërtet e paraprin heshtja e madhe. E gjatë sa një fraksion sekonde, apo sa një përjetësi, artisti dhe objektet që e rrethojnë, humbasin gravitet. Ato ngrihen nga dimensioni tokësor, për t’u rigjetur në një nivel të ri metafizik, ku marrëdhënia me hapësirën dhe hyjnoren, ngjizen përfundimisht ndryshe”, shkruan dr. Hoxha në tekstin kuratorial. Për kuratorin ekspozita me 24 piktura në galerinë FAB i dedikohet kësaj heshtjeje të madhe.  “Të gjitha tablotë janë vegime imagjinare, shpirtërore, të një bote metafizike, të atij fraksioni kohe, para ngjizjes. Secila prej tyre është metafora e vdekjes së artistit. Është harxhimi i përditshëm i qenies. Është një dialog i gjatë e i pandërprerë, një shkarkim i madh. Vdes brenda, për t’u ringjallur jashtë”, thotë kuratori.

Pikturat, si copëza të një mozaiku

Ekspozita “Lutja” do të qëndrojë në FAB deri më datë 31 tetor. Kjo ekspozitë, është një reflektim në vetë të parë i aktit shpirtëror të krijimit. Sipas kuratorit dr. Ermir Hoxha është autoportret i brendshëm, intim, tejet sekret, i ngjizur në 24 piktura, si 24 copëza të një mozaiku ekzistencial. “Leka e ka konsideruar veprën e tij gjithnjë si një akt të gjatë lutjeje, që: “…fillon çdo ditë me lindjen e diellit”. E shkruar, që në vitin e largët 1994, ajo mbetet ende sot e pandryshuar, si përkufizim dhe udhërrëfyes i njërës prej krijimtarive më të vrullshme të kohës që jetojmë”, vijon ai. Për kuratorin Ermir Hoxha në rrjedhën e shumë ekspozitave personale “Black Box”, “Kutia e Zezë e Qenies”, “Ikarus”, “Simbolon”, “Molla”, “Natura Morta” dhe së fundmi “Taso”, lutja, për herë të parë, nuk i drejtohet më një teme të caktuar. “Ofrohet si një vështrim i krijuesit në dimensionin e vet më shpirtëror, zhytur thellë në habitatin e tij, si prifti i lartë i qytetërimeve të para, në kërkim të gjuhës së vjetër, për të vazhduar atë dialog që nisi në gjenezë”, pohon kuratori. Më një aktivitete krijues prej vitesh në Galerinë Kombëtare të Arteve ruhen 37 vepra të piktorit Gazmend Leka në pikturë dhe grafikë. Mbi 400 vepra të tjera janë shpërndare në koleksione private në Shqipëri, Amerikë, Francë, Zvicër, Itali, Turqi, Rusi, Gjermani, Holandë, Spanjë, Kanada dhe Japoni./Julia VRAPI

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here