Yzeir Llanaj: Polifonia po venitet, mungon mbështetja e Ministrisë së Kulturës

    0
    556

    Festivali i tetë ndërkombëtar “Bylispolifonia” edhe këtë vit u zhvillua në Bylis. Kryetari i shoqatës “Polifonia Shqiptare”, këngëtari Yzeir Llanaj, shprehet se sot kjo trashëgimi shpirtërore rrezikon jo pak dhe përmes festivalit përcillen vlerat e polifonisë shqiptare. Në intervistën për “SOT” si drejtues artistik i festivalit Yzeir Llanaj një nga zërat e vlerësuar të polifonisë shqiptare pohon se këtë vit nuk pati mbështetjen e Ministrisë së Kulturës. Ai tregon se problemet me projektin fillojnë që në aplikimet që bëhen në Ministrinë e Kulturës. Sipas tij është përgjegjësi e Ministrisë së Kulturës, që duhet të thërrasë drejtuesit e aktiviteteve për ti ndihmuar në aplikimet me projektin. Për këngëtarin e njohur të polifonisë Yzeir Llanaj nderuar dhe me urdhrin “Naim Frashëri i Artë” nga institucionet pothuajse nuk ka vëmendje për vlerat e kësaj trashëgimie. Ai shprehet se sot dhe grupet polifonike punojnë në kushte të vështira, sepse jo vetëm që mungojnë ambientet për zhvillimin e provave, por dhe mbështetja që duhet të japin institucionet për aktivitetet mungon.

    -U zhvillua edicioni i tetë i festivalit “Bylispolifonia”. Ky edicion për ju si u përcoll?

    Festivali i tetë ndërkombëtar “Bylispolofonia” u zhvillua në Bylis. Doli një festival aq madhështor, ku morën pjesë 28 grupe polifonike nga të gjitha trevat e Shqipërisë dhe jashtë saj, Kosova, Maqedonia, etj. Paraqitja e grupeve ishte më së miri, qoftë për vlerat shpirtërore por dhe për kostumografinë. Ata shprehnin dhe dëshirën e vullnetin për ta mbajtur gjallë dhe për ta transmetuar ashtu identike, ashtu si na e kanë lënë ne të parët për ta çuar tek e ardhmja. Por ky festival edhe këtë vit pati shumë vështirësi, ishin marramendëse.

    -Pse?

    Ne u nisëm ta zhvillonim në qershor nuk arritëm dot, dhe u detyruam ta zhvillojmë në muajin shtator. Por nuk na kanë mbështetur as bizneset, por as Ministria e Kulturës. Ne e kemi shtyrë festivalin, sepse nuk ishin mundësitë e zhvillimit të tij. Ministria e Kulturës nuk na përfilli fare për festivalin.

    -Aplikuat për projektin në ministri?

    Në festival morën pjesë 28 grupe polifonike. Polifonia ruhet në shpirtin e këtyre bartësve të polifonisë. Unë aplikova në Ministrinë e Kulturës për festivalin, por seç kanë nxjerrë disa tabela si shumëzim, apo mbledhje e zbritje për të komplikuar të gjithë këta pasionantë, që duan të bëjnë aktivitetin. Dhe nëse ka aty ndonjë gabim, ata ta kthejnë dhe në momentin fundit të thonë nuk ishte i plotësuar si duhet projekti juaj. Ne vërtetë mund të kemi bërë ndonjë gabim në aplikime, por dhe punonjësit në Ministri të Kulturës përse janë? Ne kërkuam që të na mbështesin për festivalin, duke i ndarë gjërat me pika. Por ata jo pse nuk e ke futur brenda kuadratit, pse kështu e ashtu. Pra këto janë përgjigjet që vijnë nga Ministria e Kulturës. Ne na kthejnë përgjigje negative për projektin, por nuk kishte mundësi ministria të na thërriste dhe të thoshte ejani ta bëjmë bashkë këtë projekt, sepse keni këtë gabim? Te kjo tabela duhet plotësuar kjo apo ajo. Unë shkoja dhe bashkëpunoja me të, ashtu si kemi bërë para 5 vitesh që më kanë ndihmuar shumë. Unë para disa vitesh kisha gabime në plotësimin e projektit, por atë kohë punonjëset na ndihmonin, u ulën në kompjuter dhe i rregulluam si duhet. Ndryshe kur nuk ka para ministria dhe ndryshe është për ne kur na kthejnë përgjigje ka gabime në projekt. Për festivalin e këtij viti ne nuk morëm mbështetje financiare dhe nuk e kuptoj pse tallen me shpirtin e këtij kombi? Pse tallen me shpirtin e këtyre bartësve? Mua për festivalin më kanë ndihmuar shumë bashkia e Ballshit dhe Fierit, ku u interesua vetë prefekti i Fierit. Janë njerëz që unë i nderoj. Ne nuk na ndihmoi Ministria e Kulturës por bashkia e Fierit dhe Ballshit për festivalin “Bylispolifonia”. Nga ana tjetër ata që nuk kanë shpirt kanë në dorë shpirtin e njerëzit të atyre që po mbajnë gjallë këtë pasuri shpirtërore. Festivali i parë u bë në vitin 2001, dhe edicioni i tetë në shtator 2018. Ne kemi disa vite që nuk jemi ndihmuar për festivalin “Bylispolifonia”. Me përjashtim të festivalit të parë që kam marrë ndihmën e duhur për zhvillimin e tij. Më pas ka munguar interesimi për festivalin nga ministria ndër vite. Ka pasur dhe një rast, që na pohuan financim për festivalin dhe nuk na e dhanë. U caktua në bord buxheti, por kur u bënë gati më thanë iku ministri nga ministria dhe ikën dhe paratë në ndihmë të festivalit. Festivali i këtij viti u zhvillua më 21, 22 dhe 23 shtator. Unë ndihem krenar nga njerëzit që mua mu gjendën pranë për zhvillimin e festivalit të tetë “Bylispolifonia”. Festivali pati president nderi kryetarin e Bashkisë së Ballshit. Në bordin e Ministrisë së Kulturës duket sikur nuk pranojnë emrin polifoni, por duan iso-polifoni. Unë nxjerr konkluzionin që sa të vejë atje emri polifoni nuk do të trajtohet. Isopolifoni për mua një emër absurd, një emër jo shqiptar, dhe kjo më duket sikur është shkak që unë nuk marr financim nga ministria.

    -Edhe drejtues të aktiviteteve të tjera janë shprehur me kritika dhe për mungesën e transparencës për Ministrinë e Kulturës me projektet. Ju si e shikoni?

    Ministria e Kulturës ka shumë mungesë transparence, sepse duke marrë parasysh që është i vetmi aktivitet i polifonisë shqiptare që bëhet në një kështjellë 4 mijëvjeçare nuk e mbështet. Ka dy pika kyçe, e para është polifonia dhe pasuria e rrallë në botë që është marr në mbrojtje, dhe e dyta është kryetempulli  i Ilirisë Bylisi, se atje e ka zanafillën kjo pasuri shpirtërore. Ku është Ministria e Kulturës këtu? Unë nuk kam pasur prezencë të ministrisë në festival me përjashtim të një rasti kur na erdhi një ekip për të kontrolluar ato 3 milionë lekë të vjetra që më dhanë për festivalin, që vetëm drekat dhe darkat bëjnë aq për artistët. Erdhën ata të ministrisë, panë dhe simpoziumin shkencor që bëja në festival me titull dhe temë për polifoninë shqiptare.

    -Kush janë problematikat e polifonisë sipas jush?

    Problematikat janë jo pak. Nuk është bërë pothuajse asgjë për polifoninë me përjashtim që unë po kërkoj nga të gjithë grupet polifonike, që e mbajnë gjallë, që më sjellin ndonjë këngë. Kam vajtur fshat më fshat, dua të bëj dhe një grup fëmijësh, por nuk kam se ku ti gjej. Unë kam dalë me nipin tim 7 vjeçar në festival, duke kënduar dhe për të treguar që po këndon dhe ai me burrat e vjetër, sepse nuk kemi fëmijë që të këndojnë. Por kjo është detyra e Ministrisë së Kulturës, që është një ekip i tërë që merret me të, që ta dorëzojmë polifoninë shqiptare tek e ardhmja. Polifonia shqiptare është duke u venitur. Më vjen keq që neve ta lëmë këtë pasuri që të nëpërkëmbet kaq rëndë nga këta të pashpirt, që janë në ministri, dhe nuk vjen njeri prej tyre që të më shikojë festivalin. Ne i ftojmë. I kam çuar ftesa. Detyra ime është që ti ftoj ata që janë kundër polifonisë dhe të shikojnë vlerat se kush është ky festival, që zhvillohet në tempullin e Ilirisë.

    -Ju keni dhe vetë një grup polifonik, si e zhvilloni aktivitetin?

    Provat me grupin polifonik ne i zhvillojmë në shtëpinë time. Nuk ka mjedise të tjera ku të punojmë. Por në festivale ne kemi bërë tetë simpoziume shkencore, ku ftojmë studiues dhe diskutojmë për polifoninë dhe vlerat e saj, ruajtjen. Grupi jonë polifonik “Bashkimi i Polifonisë” që e drejtoj unë ka 30 vjet që është krijuar dhe këtë vit u nderua dhe me Çmimin e Karrierës. Ne i bëjmë provat në shtëpi sepse nuk kemi një pallat kulture? Ku ka vend për ne Tirana? Ku ka vende që të punohet dhe bëhen provat në fshatra?

    -Sipas jush sa është bërë për ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë nga ministria?

    Te folklori shqiptar me sa po shikoj nuk po bëhet gjë. Unë nuk shikoj të ketë studiues të mirëfilltë ta studiojnë folklorin. Nuk kemi një etnomuzikologe që të interesohet për kostumografinë shqiptare. Vetë shpirti i këtij populli po e mban polifoninë, dhe është për t’u përshëndetur grupi i Lunxhërisë, një mrekulli për polifoninë dhe kostumografinë e shkëlqyer. Në Shqipëri ka grupe polifonike por mungon vëmendja për ata. Edhe në festival pati shumë dyndje për të ardhur, por unë nuk kisha buxhet. Polifoninë e mban shpirti i bartësve. Mund të themi ne që e ruan dhe po e mban polifoninë që është dhe trashëgimi direkt Ministria e Kulturës? Jo. Unë festivalin nuk do ta lë kurrë. Edhe pse nuk më japin ndihmë, por për mua nuk ka iso-polifoni në Shqipëri. Ka vetëm polifoni. Ministrisë së Kulturës unë i kërkoj vëmendje dhe vetëm vëmendje për polifoninë shqiptare, sepse po ikën, ndaj duhet mbështetur.

    Intervistoi: Julia Vrapi

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here