Komedia shqiptare “Makaronat e shejtanit”, premierë në Metropol

0
541

“Makaronat e shejtanit” vepër e autorit Lazër Lumezi premierë në skenën e Teatrit Metropol me regji nga Rexhina Mollaymeri. Komedia  “Makaronat e Shejtanit” bën fjalë për një shtëpizë në fshat, ku i zoti Nikollë Pepa është dorështrënguar me shërbyesit. Atëherë ata bashkë me fqinjin e tyre, kur zotëria nuk ndodhet aty, përgatisin një vakt të mirë, e të bollshëm fshehurazi tij. Nikollë Pepa zbulon të vërtetën falë Zabitit, një mik i rastësishëm,dhe kështu ndëshkohen fajtorët. Vepra vjen premierë më 4 tetor dhe rolet në vepër luhen nga aktorët Margent Caushi, Erion Hodo, Aleksandër Mitrollari, Xhuliano Brisku, Artan Skënderasi.

Vepra do të jetë në skenë dhe më datë 11 tetor gjithashtu dhe si pjesë e festivalit teatror “Metrofest”. Regjisorja Mollaymeri tregon se kjo komedi shqiptare tregon dhe njeriun e ditëve të sotme,  i drejtuar nga materializmi. “Vepra “Makaronat e shejtanit” bart në vetvete tematika thelbësore aktuale. Njeriu i ditëve të sotme nuk ka uri për ushqim, por pangopshmëri për para. Drejtuar nga materializmi, nuk kuptojmë dot më se kush do të jetë fituesi i kësaj lufte të vazhdueshme mes asaj çfarë mendojmë ne që e bën jetën tonë më të bukur, dhe asaj çfarë realisht i jep kuptimin e duhur jetës sonë. Klasat shoqërore, diferencimi sipas pasurisë, ose pozitës të individit, janë gjithashtu pjesë e pandashme e veprës”, shprehet regjisorja e shfaqjes Rexhina Mollaymeri. Sipas saj, përtej kopracisë, problemi kryesor që shqetëson personazhet është dredhia, të punuarit pas krahëve padrejtësisht, atij që të ka dhënë punë, e rrjedhimisht mundësinë për të bërë një jetë më të mirë. Mosmirënjohja, është ves i shëmtuar. “Duke u bazuar në këto aspekte e virtyte thelbësore të njeriut e gjithë shfaqja do të ndërtohet në përpjekje për të zgjuar tek ne, ndjenja e vlera mjaft të rëndësishme, që si rrjedhojë e kohës ku jetojmë, padashur ose jo, i kemi humbur! Shfaqja do të jetë mjaft dinamike, me ritëm dhe personazhe që “bërtasin” secili për të drejtat që pretendon se i ka dhe “nuk po i vlerësohen siç duhet”, shton më tej regjisorja. Rexhina Mollaymeri, ka përfunduar studimet e larta në Universitetin e Arteve Tiranë për regji. Ka marrë pjesë në shfaqjen “Qejfharami” “ Hekuba” dhe “Armiqtë”. Në rolin e Nalës tek shfaqja për fëmijë “Mbreti Luan”. “Bëje botën tënde portokalli” ka qenë një nismë ku është angazhuar gjithashtu. Në skenën e teatrit komedia “Makaronat e shejtanit”, kostumografia është nga Suzana Bodinaku dhe skenograf Laid Ymeri.

Krijimtaria e autorit

E shfaqur për herë të parë më 1935 në Prizren, bën pjesë në një ndër veprat më të njohura të autorit, Lazër Lumezi. Lazër Lumezi lindi më 1870 në Prizren. Ai ka dhënë një kontribut të madh në fushën e arsimit, kulturës në gjuhën shqipe dhe periudhën e rilindjes së vonë. Mësues i shkollës së parë shqipe në Prizren, në periudhën e okupacionit Austro-Hungarez 1915-1918. Botimet e tij në revistën “Jeta e re” të asaj kohe kanë qenë të shumta. Pedagog mjaft i mirë dhe shembull për brezin e ri të atëhershëm. Hartoi libra shkollor seriozë, shkroi mjaft vepra, ishte përkthyes shumë i mirë, e organizator i shfaqjeve teatrore në Prizren. “Makaronat e shejtanit” është botuar në revistën “Jeta e re”, dorëshkrimin e ka gjetur Kolë Shiroka, dhe u shfaq për herë të parë në Prizren në vitin 1935. Kushtet politike të kohës e kufizonin Lazër Lumezin, por ai megjithatë nuk u dorëzua, me anë të shkrimit kaligrafik të bukur, dhe ua jepte njerëzve të ndryshëm në qytet. Nuk ekzistojnë shumë informacione mbi jetën e Lazër Lumezit, por punonjësit e kulturës në Prishtinë njohin atë dhe kontributin që dha për letërsinë e asaj kohe, prandaj janë përpjekur të plotësojnë deri diku biografinë e një autori, me plot vepra e shkrime të tjera me vlera artistike.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here