Tronditet Senati Amerikan, Dëshmia: Ja si më sulmoi seksualisht gjyqtari

0
430

Kandidati për anëtar të Gjykatës së Lartë, Brett Kavanaugh dhe gruaja që e ka akuzuar se e ka sulmuar seksualisht kur të dy ishin adoleshentë, dëshmuan sot në një seancë në Senat që mund të përcaktojë balancën e organizmit më të lartë juridik të vendit.

Christine Blasey Ford paraqiti versionin e saj të incidentit që ajo thotë se ka ndodhur, sipas së cilit, Kavanaugh e sulmoi gjatë një feste kur të dy ishin në shkollë të mesme. Në një deklaratë të përgatitur paraprakisht që u bënë publike të mërkurën, zonja Ford jep detaje për incidentin e verës së vitit 1982, ku ajo thotë se zoti Kavanaugh i dehur dhe shoku i tij, Mark Judge, e futën me forcë në një dhomë, e kyçën derën dhe e sulmuan. Në deklaratë ajo thotë se ishte shumë e frikësuar dhe turpëruar t’i tregonte njeriu dhe nuk dha detaje të incidentit deri shumë vite më pas, kur i tregoi bashkëshortit të saj dhe foli për to në seanca terapie.

“Nuk i kam të gjitha përgjigjet dhe nuk i mbaj mend të gjitha sa do doja. Por detajet e asaj dite që më sollën sot këtu nuk do t’i harroj kurrë.

Njerëzit po pinin birrë në dhomën e ndenjes. Unë kisha pirë vetëm një birrë. Brett dhe Mark ishin të dehur. Kur shkova sipër, më shtynë nga pas në dhomë, Brett dhe Mark erdhën në dhomë dhe mbyllën derën. Brett mu hodh sipër dhe më prekte. Unë bërtisja që dikush të më shpëtonte dhe u përpoqa të ikja prej tij por ishte shumë i rëndë. U përpoqa të bërtisja, Brett më vuri dorën në gojë. Mendova se Brett do më vriste aksidentalisht sepse nuk merrja dot frymë. Ata qeshnin po e shijonin shumë”, dëshmoi gruaja.

Edhe zoti Kavanaugh, që do të shfaqet veçmas para Komisionit Juridik të Senatit, bëri publik tekstin e deklaratës së tij hapëse. Ai mohoi me force sulmin për të cilin e akuzon zonja Ford dhe akuzat nga persona të tjerë, duke i cilësuar si shpifje të minutës së fundit. Ai tha se goditje të tilla ndaj karakterit, nëse lejohen të arrijnë qëllimin do të shkurajojnë njerëz të zotë dhe të mirë nga të gjitha bindjet politike, që t’i shërbejnë vendit dhe shtoi se nuk do të binte pre e friksë dhe të tërhiqej nga procesi i konfirmimit.

Konfirmimi i Gjykatësit Kavanaugh mund të ndryshojë balancën në Gjykatën e Lartë

Debati për procesin e emërimit të zotit Kavanaugh, vjen vetëm disa javë para zgjedhjeve të 6 nëntorit, ku demokratët po përpiqen të marrin kontrollin e Kongresit. Presidenti Donald Trump zgjodhi gjykatësin Kavanaugh për të zëvendësuar anëtarin e Gjykatës së Lartë, Anthony Kennedy, i cili shpesh hidhte votën vendimtare dhe merrte anën e anëtarëve liberale për çështje kyçe. Konfirmimi i zotit Kavanaugh mund të konsolidojë shumicën konservatore në gjykatë për vite me radhë.

Të mërkurën, Presidenti Trump pretendoi se kishte një përpjekje të koordinuar nga demokratët për t’i ekzagjeruar akuzat për sjellje të papërshtatshme seksuale kundër zotit Kavanaugh.

“Në fakt ata po bëjnë lojra, sepse ata e dinë se çfarë njeriu i mirë është ai dhe kanë shkatërruar reputacionin e një personi duan ta shkatërrojnë edhe më shumë dhe mendoj se do ta shohin në zgjedhjet e nëntorit se çfarë i kanë bërë familjes së tij, fëmijëve të tij të bukur dhe gruas së tij. E dine shumë mirë që kjo është një sajesë e madhe”, tha zoti Trump.

Presidenti i bëri komentet në një konferencë për shtyp prej 90 minutash pas takimeve me udhëheqës botërorë në Kombet e Bashkuara në Nju Jork.

Akuza nga pesë gra

Katër gra të tjera kanë dalë ditët e fundit me ankesa të detajuara kundër zotit Kavanaugh. Ai i ka mohuar akuzat.

Të mërkurën në mbrëmje, NBC News njoftoi se një ankesë anonime I ishte dërguar senatorit republikan, Cory Gardner të Kolorados. Gruaja që e kishte dërguar, thoshte se në vitin 1998, ajo dhe vajza e saj kishin dalë me zotin Kavanaugh dhe disa miq, kur ai “e shtyu një shoqe të saj pas murit në mënyrë shumë agresive dhe seksuale”.

Sipas njoftimeve të medias, zoti Kavanaugh u mor në pyetje të martën gjatë një telefonate me këshilltarë të Komisionit Juridik lidhur me akuzën se ai kishte sulmuar seksualisht një grua në Rhode Island në mes të viteve 1980.

Zyra e senatorit demokrat të këtij shteti, Sheldon Whitehouse kishte marrë një telefonatë të martën në mëngjes “ku bëheshin akuza lidhur me një përdhunim në një varkë në gusht të vitit 1985”, sipas tekstit të zbardhur të bisedës mes këshilltarëve dhe zotit Kavanaugh që iu dha medias të mërkurën. Zoti Kavanaugh i mohon akuzat.

Presidenti Trump tha se do ta ndiqte seancën e së enjtes, e cila pritet të jetë e bujshme, dhe se edhe mund të ndryshonte mendim për kandidatin e tij, pasi të dëgjojë dëshminë e profesores Ford.

“Është e mundur që ta dëgjoj dhe të them ‘hej, më ndryshoi mendja’. Nuk mund t’ju them. Duhet të pres deri nesër”, tha zoti Trump.

I pyetur nëse e kaluara e tij me gra të shumta që e janë akuzuar për sulme seksuale, ka ndikuar se si ai i sheh akuzat kundër zotit Kavanaugh, presidenti tha se ai e kupton se ç’do të thotë të akuzohesh pa të drejtë dhe sugjeroi se zoti Kavanaugh po konsiderohej “fajtor deri kur të vërtetohej që ishte i pafajshëm”.

“Kjo është përtej Gjykatës së Lartë. Kjo ka të bëjë me vendin tonë. Kur konsiderohesh fajtor deri kur vërtetohet që je i pafajshëm, nuk duhet të jetë ashtu…Në këtë rast, je fajtor derisa të provohet që je i pafajshëm. Mendoj se është një standard shumë i rrezikshëm për vendin”, tha Presidenti Trump.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj