Rinisin seancat e vetingut, në 3 tetor kalon në sitë Ahmet Jangulli, gjyqtari që përplasi Gjonajn me KLD

0
539

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit iu është rikthyer seancave dëgjimore me subjektet e rivlerësimit. Pas një periudhe të heshtur prej afro një muaji, KPK ka njoftuar në faqen e saj zyrtare në internet se në datën 3 tetor do të kalojë në sitën e vetingut gjyqtari i Gjykatës Administrative në Shkodër, Ahmet Jangulli. Në orën 09:30 ai do të japë llogari përballë trupës gjykuese të përbërë nga Brunilda Bekteshi, Suela Zhegu dhe Valbona Sanxhaktari. Ndryshe nga herët e tjera, këtë herë seanca dëgjimore do të zhvillohet tek ish-godina e “Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve” tek Rruga e Kavajës.

Duhet theksuar fakti se Ahmet Jangulli bën pjesë tek lista prioritare e gjyqtarëve dhe prokurorëve sepse është edhe anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, një organ i cili tashmë po kalon ditë ngërçi. Por nga ana tjetër, vlen të risjellim në vëmendje që gjyqtari i Gjykatës Administrative të Shkodrës është ai që futi në sherr ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj me Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Gjonaj kërkoi shkarkimin e Ahmet Jangullit për shkak të detyrës, mirëpo Këshilli i Lartë i Drejtësisë vendosi ta “marrë në mbrojtje” gjyqtarin, duke sfiduar kështu Gjonajn e mbajtur në detyrë Jangullin. Për këtë kërkesë të ministres së Drejtësisë pati edhe një debat shumë të fortë gjatë mbledhjes së KLD mes Etilda Gjonajt dhe Gjin Gjonit. Ky i fundit refuzoi kërkesën e ministres, duke u shprehur se ajo nuk ka të drejtë të kërkojë shkarkim të një gjyqtari.

“Në cilën prej këtyre dispozitave ministrja e Drejtësisë ka të drejtë që të vijë përpara nesh me këtë propozim? Këtë propozim, po t’i referohesh dispozitave kalimtare, mund ta bënte Kryeinspektorja e KLD. Dhe ne kemi qenë me tre ministra paraardhës, të cilët nuk propozonin më as edhe një masë disiplinore dhe propozimi bëhej nga anëtarët e Këshillit mbi bazën”, tha ai. E menjëhershme ishte përgjigja e Gjonajt, e cila argumentoi se e drejta e saj për të kërkuar shkarkim është e përcaktuar në ligj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here