Denoncimi i oficerit, policia: Emiljano Nuhu gjatë periudhës janar-korrik ishte student në akademi, u arratis drejt Kosovës

0
405

Policia e Shtetit ka reaguar dje pas denoncimit të ish-oficerit të policisë Emiljano Nuhu se është kërcënuar me armë për të mbyllur dosjen e djalit të deputetit të PS-së, Rrahman Rrahja, i akuzuar për përdhunimin e Xhensila Malokut. Përmes një deklarate policia ka sqaruar akuzat mediatike të Emiljano Nuhut, ndërsa ka treguar detaje rreth detyrave të oficerit. Blutë sqarojnë se në shtator të 2017 Nuhu u transferua në Komisariatin e Krujës, ku ka qëndruar deri në Gusht 2018, ndërsa nga muaji Janar deri në Korrik 2018, ai ishte i shkëputur nga marrëdhëniet e punës, pasi ishte në Akademinë e Sigurisë, në vitin e dytë. Po ashtu policia thekson se në datë 13 shtator të këtij viti Nuhu ka braktisur detyrën duke mos dorëzuar sipas procedurës standarde armatimin dhe materialet operative dhe ka udhëtuar për në Itali.

“Lidhur me deklarimet në media të një oficeri, Policia e Shtetit sqaron se: Shtetasi Emiljano Nuhu është rekrutuar në Policinë e Shtetit në vitin 2009. Ai ka qenë së pari, efektiv i rolit bazë në Policinë e Tiranës. Në maj 2017, pasi fitoi gradën “Nënkomisar” u emërua në Drejtorinë e Policisë së Vlorës. Në këtë detyrë ka qëndruar vetëm 4 muaj, deri në shtator 2017, pasi iu drejtua me kërkesë Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë për transferim, me pretendimin se “ndihej i rrezikuar për shkak të detyrës”. Në shtator 2017 është transferuar në Komisariatin e Krujës, ku ka qëndruar deri në Gusht 2018. Nga muaji Janar deri në Korrik 2018, ai ishte i shkëputur nga marrëdhëniet e punës, pasi ishte në Akademinë e Sigurisë, në vitin e dytë. Me kërkesë të tij, në datë 15.08.2018, me pretendimin se “ndihej i kërcënuar për shkak të detyrës” është transferuar në Drejtorinë Vendore të Policisë në Berat. Në këtë detyrë ka qëndruar deri në datë 13.09.2018 dhe më pas nuk është paraqitur, por ka braktisur detyrën duke mos dorëzuar sipas procedurës standarde armatimin dhe materialet operative”, thuhet në njoftim.

Ndërsa sa i takon pretendimit të oficerit se në datën 21 korrik 2018 është kërcënuar në zyrën e tij, policia thotë se në këtë datë oficer i gatshëm në Komisariatin e Krujës dhe që ka kryer veprimet ka qenë një punonjës tjetër policie, me iniciale G.Ç. “Ndryshe nga sa thotë oficeri Emiljano Nuhu në intervistën mediatike, se në datën 21 korrik 2018 është kërcënuar në zyrën e tij, në këtë datë oficer i gatshëm në Komisariatin e Krujës dhe që ka kryer veprimet ka qenë një punonjës tjetër policie, me iniciale G.Ç. Në datë 21 korrik, oficeri Nuhu nuk ka qenë fare në Komisariatin e Krujës. Nga verifikimet e kryera, ka rezultuar se asnjë nga shtetasit e pretenduar në deklarimet mediatike të oficerit Nuhu, se e kanë kërcënuar, nuk kanë hyrë në ambientet e Komisariatit të Krujës siç pretendohet prej tij”, tha policia.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here