Paketa fiskale, biznesi shqiptar kërkon tatim 9 përqind për dividentin, amerikanët apel qeverisë për zerimin e taksës

0
494

Ndërsa qeveria po punon për paketën fiskale të vitit 2019 dhe në fund të muajit do të dalë me një draft final, një nga taksat që pritet të preken është dhe ajo mbi dividentin, për të cilën aktualisht janë menduar dy variante, ulje në 8 ose në 10 për qind. Po cili është propozimi i bizneseve? Kryetarja e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë, Ines Muçostepa, shprehet se sipërmarrja është rakorduar dhe kërkon që tatimi mbi dividentin të ulet në 9 për qind. “Ajo që ne kemi propozuar tashmë prej 2 vjetësh është dhe ulja e dividentit. Mendoj që në këtë paketë fiskale do të ishte shumë mirë që ulja e dividentit të ishte 9 përqind. Ne vazhdojmë ta përsërisim, ndërsa e kemi ngritur në çdo tryezë dhe shpresojmë që kësaj radhe, pse jo duke pasur këto premisa pozitive në ndihmë të sipërmarrjes, të shihej dhe taksa për ta ulur në 9 për qind. Ky është një konkluzion i nxjerrë nga vetë sipërmarrja. Është rakorduar nga gjithë tryezat që ne kemi organizuar dhe 9 përqindëshi ishte përqindja më e mirë.

Propozimi i bizneseve amerikane

Nga ana tjetër, bizneset amerikane kërkojnë që qeveria të mendojë edhe zerimin e kësaj takse, për ti dhënë mundësi sipërmarrjeve që të rrisin investimet dhe të hapin më shumë vende pune. “Unë jam shumë pro që taksa mbi dividentin të ulet. Bile është normale të jetë zero për ata që do të investojnë në Shqipëri sepse do zmadhohet ekonomia. Është disincentiv të ketë një taksë shumë të lartë mbi bizneset që japin dividencën sepse mbeten paratë dëm brenda kompanisë kështu që unë jam dakord me idenë që ata do të shfrytëzojnë fitimin që kanë, duke ulur dividentin e duke investuar diku tjetër. Sa më pak madje deri në zero nëse ka riinvestime, është më mirë për Shqipërinë.

Tatimi mbi dividentin

Tatimi mbi dividentin është një tatim që paguajnë pronarët e aksioneve të korporatave të mëdha kur korporata u shpërndan atyre divident nga fitimet. Aktualisht ky tatim është në masën 15 për qind, njësoj si tatimi mbi të ardhurat personale nga qiratë, interesat bankare, honoraret e të drejtës së autorit apo të ardhurave nga fitimet kapitale në shit-blerjen e pronave të patundshme dhe titujve. Kjo është një nga taksat që qeveria “Rama 1” rriti për të gjithë qytetarët bashkë me tatimin mbi fitimin e kompanive nga 10% që qe deri në vitin 2015 në 15 për qind që është aktualisht. Aktualisht po shqyrtohen dy variante. I pari është ai që tatimi mbi dividentin të zbresë në 8 për qind, ndërsa varianti i dytë parashikon uljen e kësaj takse në shkallën 10 për qind. Varianti final pritet të zyrtarizohet nga vetë kryeministri, gjatë ditëve në vijim kur paketa të bëhet publike. Ulja e tatimit mbi dividentin lehtëson barrën e taksave, kryesisht për bizneset e mëdha. Por, qeveria e cilëson atë si një masë kompensuese, që pason uljen e taksave për biznesin e vogël, e cila u votua pak kohë më parë. Paketa fiskale 2019 do të kalojë në dy faza; atë të verës që u diskutua dhe u miratua në qeveri e parlament si dhe atë të vjeshtës, që pritet t’i kalojë parlamentit shoqëruar edhe me ndryshime që do të vijnë nga konsultimet me sipërmarrjen.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here