“Këtu -apo atje, është më atje” në GKA, me 2197 vizitorë në shtator

0
503

Galeria Kombëtare e Arteve bën me dije se ekspozita e artistes kosovare Flaka Haliti “Këtu -apo atje, është më atje” numëron deri tani 2197 vizitorë. “Jemi të lumtur për interesin që ka shfaqur publiku shqiptar dhe i huaj ndaj ekspozitës “Këtu – apo atje, është më atje” së artistes Flaka Haliti, kuruar nga Leonie Radine. Nga data 8 shtator deri më datë 24 shtator 2018 ekspozita numëron 2197 vizitorë. Kjo ekspozitë u hap më datë 7 shtator, dhe do të qëndrojë e hapur për publikun deri më datë 9 nëntor. Jeni të ftuar të vizitoni ekspozitën nga e hëna në të diel, orari 09:00-19:00”, njofton GKA. Flaka Haliti (1982, Prishtinë) jeton në Mynih, Gjermani. Pas studimeve të saj në Stadelschule në Frankfurt am Main, Gjermani, puna e saj ka eksploruar atë që është ndërmjet dhe që shkon përtej nocioneve të thjeshta që i mvishen përkatësisë dhe identitetit. Punët e saj janë ekspozuar në shumë institucione e bienale të njohura ndërkombëtare.

Në hapjen e ekspozitës kuratorja Leonie u shpreh më shumë mbi praktikën artistike të Flaka Halitit ndër vite, prezantimin e përmbledhjes së punëve të artistes fillimisht në Kunsthalle Lingen dhe më pas në Kunsthaus Hamburg, Gjermani, si edhe qasjen e saj në kurimin e kësaj ekspozite në Tiranë.

“Kjo ekspozitë që prezantohet tani në Galerinë Kombëtare të Arteve paraqet një lexim alternativ të objekteve, figurave dhe materialeve të ndryshme duke e transformuar sallën e ekspozitës në një hapësirë ku publiku vendos në jetë veprat sipas imagjinatës së tyre individuale. Titulli “Këtu- apo atje, është më atje” reflekton këtë skepticizëm të përgjithshëm ndaj përkufizimeve të ngurta mbi hapësirën. Duke lexuar këtë titull, publiku mbetet në mëdyshje, sepse refuzohet çdo lokalizim. Pra, ku jemi ne? Në një sallë ekspozitash në Tiranë, Shqipëri. Por, a luan një rol të caktuar vendi ku prezantohet ekspozita? Mos ndoshta vepra e artit duhet të kuptohet kudo, pavarësisht vendit ku ekspozohet?”, tregoi kuratorja. Kjo ekspozitë është realizuar në kuadër të kalendarit të përbashkët kulturor Shqipëri-Kosovë, dhe çdo vit do të ketë nga një prezantim të artistëve nga Kosova në Galerinë Kombëtare të Arteve.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here