Astrit Patozi: Basha është kthyer në gjobaxhi, nuk ka asnjë plan të shfuqizojë koncesionet e Ramës

0
499

Ish-deputeti Astrit Patozi ka sulmuar dje platformën e kreut demokrat Lulzim Basha. Ky i fundit prezantoi të hënën platformën antimafia, por që sipas Patozit, të gjitha janë vetëm fjalë. Përmes një statusi në rrjetet sociale, Patozi ka deklaruar se Basha po gabon me strategjinë. “Unë dua ta shaj shumë qeverinë dhe Edi Ramën, por le të vijë dikush e të më tregojë që edhe për këtë problemin duhet ta kërkojmë tek kundërshtari e jo tek vetja jonë. Dhe ky është vetëm një shembull i zbehtë i asaj që Lulzim Basha është njeriu i gabuar, në kohën dhe vendin e gabuar.

Por le të mos shkojmë aq larg, sepse ne shqiptarët nuk shquhemi për kujtesë afatgjatë. E kishte me sistemin apo me emrat Lulzim Basha atë teatrin e shëmtuar me gjoja platformë antimafia dhe antikorrupsion? Nëse do ta kishte me sinqeritet, do të duhet të premtonte solemnisht që kur opozita të vinte në pushtet, do të ndalonte çdo praktikë koncesionesh dhe PPP-sh, si dhe do të shfuqizonte të gjitha ato që kishin bërë qeveritë para saj. Ky do të ishte parimi, i drejtë apo i gabuar, ç’rëndësi ka”, tha ai. Sipas Patozit, Basha nuk do të ndalojë asnjë koncesion. Madje ai e cilësoi si gjobaxhi. “Problemi është se Luli nuk ka ndërmend të ndalojë koncesionet, në rast se do të fitojë ndonjëherë, ndaj ai nuk mund ta thotë dot atë. Ai thjesht i quan koncesione të këqija, kur i bën Edi Rama, dhe koncesione të mira, në rast se do t’i bënte vetë. Ndërsa emrat e atyre bizneseve, që dolën në tabelë të zezë, njësoj si tregtarët e 1945-ës, që do të paguanin tatimin e jashtëzakonshëm, janë prova e gjallë se në krye të opozitës zyrtare është thjesht një gjobaxhi i rëndomtë. Dhe unë i mbaj turpin në kurriz të gjithë atyre që u gëzuan dhe duartrokitën, sikur gjoja më në fund Lulzim Basha u trimërua dhe përmendi si të ishin trafikantë emra sipërmarrësish të nderuar, ndërkohë që nuk thanë asnjë fjalë kur të njëjtët emra u publikuan në borderotë e kompanive të kunatit dhe gruas së tij”, tha ai.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here