Amerikanët rrëzojnë Bashën:Po tremb investitorët, Shqipëria duhet të funksionojë si sistem, jo si parti

0
407

Amerikanët janë shprehur kategorikisht kundër deklaratave të kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili deklaroi se kur të vijë në pushtet do të anulojë të gjitha koncesionet. Ka qenë kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Marc Crowford, i cili gjatë një prononcimi për mediat u shpreh se deklaratat e Bashës mund të krijojnë një imazh negativ tek investitorët dhe për rrjedhojë ta shohin klimën të papërshtatshme për investime. Në këtë kontekst, ai i kërkoi politikës dhe në rastin konkret Bashës, që të mos përfshijë në debatet e veta biznesin.

Sipas tij, Shqipëria duhet të funksionojë si një sistem dhe jo si një parti apo individ. “Edhe Shqipëria duhet të jetë një sistem dhe nuk është një parti apo individ. Kur bëhet si sistem është më rehat për investitorët e huaj të vinë. Nëse ka ndonjë koncesion ku ka dyshime apo probleme të shikohet. Një më një, jo të gjithë. Po të themi do anulohen të gjithë, do të thotë se të gjithë janë të korruptuar dhe të gjithë nuk vlejnë. Nëse ambienti është ashtu, është vështirë për të tërhequr investitorët. Edhe kur nuk ka ndryshime qeveria, nëse ka ndonjë koncesion me probleme duhet investiguar”, deklaroi ai.

Ndërkohë nga ana tjetër, kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Marc Croëford kishte edhe një sugjerim për mazhorancën qeverisëse dhe që kishte lidhje me paketën e re fiskale. “Nëse shohim se investimet e huaja janë duke rënë, duhet të reagojmë. Duhet të kujdesemi për investitorët që kemi”, nënvizoi i kryetari i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Marc Croëford.

Partia Demokratike prezantoi të hënën platformën kundër korrupsionit, ku deklaroi se janë 2.18 miliardë euro abuzime nëpërmjet kontratave të Partneritetit Publik Privat dhe koncesioneve. “Partia Demokratike gjatë vitit të fundit ka denoncuar aferën e inceneratorëve, ku Arben Ahmetaj me emrin e nëpunësit të tij të mëparshëm Klodian Zoto, pa asnjë përvojë propozoi dhënien me koncesion të incenerimit të mbetjeve dhe, pa asnjë garë, lidhi kontratën me shtetin shqiptar për tre djegës mbetjesh për 178 milionë euro. Lista e shkeljeve te ligjit për të tre procedurat koncesionare është e gjatë, mungesa e garës, tenderit ndërkombëtar, mungesa e përvojës, shitja e kuotave të shoqërisë koncesionare dikujt pa asnjë përvojë të ketë fushe me vetëm 20 000 lekë, pagesat e kryera që deri me sot shkojnë 32 mld lekë, ndërkohë që inceneratori i Fierit ende nuk dihet kur dhe ku do të vihet në punë”, thuhet në deklaratën e PD.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here