Pas një operacioni të policisë janë zbuluar disa baza prostitucioni, të cilat funksiononin në disa qendra estetike në Tiranë.
Operacioni është zhvilluar nga Policia e Tiranës, e cila pas hetimeve intensive prej 7 muajsh, ka goditur disa qendra relaksi të cilat dyshohen se përdoreshin për prostitucion.
Nga ky aksion, janë arrestuar 3 persona ku ndaj tyre rëndon akuza për “shfrytëzim prostitucioni”. Ndërkohë vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të të gjithë rrjetit.
“Finalizohet pas 7 muajsh hetimi, operacioni policor i koduar “Extra Service”.Në pranga 3 administratore qendrash masazhi për veprat penale të “Shfrytëzim Prostitucioni” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”, si dhe 1 u shpall në kërkim”, thuhet në njoftimin e policisë.
Sakaq, të ndaluarit janë H.D, 33 vjeç, banues në Tiranë, A.M, 28 vjeçe, banuese në Tiranë dhe L. Q, 34 vjeçe, banuese në Tiranë. Ndërkohë, një person është shpallur në kërkim dhe 7 të tjerë po procedohen në gjendje të lirë.
Njoftimi i Policisë:
Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, pas një pune hetimore 7-mujore, finalizuan operacionin policor të koduar “Extra Service” në kuadër të të cilit u bë arrestimi i shtetasve:
– H. D., 33 vjeç, banues në Tiranë
– A. M., 28 vjeçe, banuese në Tiranë
– L. Q., 34 vjeçe, banuese në Tiranë si dhe është shpallur në kërkim shtetasi M.M., 43 vjeç, banues në Tiranë
Ambientet e qendrave të masazhit qe administronin, ata i vendosnin në dispozicion për të ushtruar prostitucion, vajzat e punësuara në to. Gjithashtu janë proceduar në gjendje të lirë 7 punonjëse në këto qendra, për ushtrim prostitucioni.
Janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale DVR, kamera vëzhguese, aparate celulare dhe 4 ambjente ku ushtrohej ky aktivitet. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të metejshme.