Puna e Prokurorisë së Përgjithshme nën drejtimin e Adriatik Llallës nuk ishte fort e frytshme. Dje kryeprokurorja e përkohshme, Arta Marku u shfaq në Parlament për të raportuar për punën e kryer nga Adriatik Llalla për vitin 2017, duke qenë se ajo vetë u zgjodh në krye të organit të akuzës në fund të vitit të kaluar. Bazuar tek raporti që ka dorëzuar Arta Marku në Parlament, Kuvendi i Shqipërisë ka përgatitur edhe një rezolutë për Prokurorinë e Përgjithshme. Gazeta ka arritur ta sigurojë këtë rezolutë, ku ndër të tjera bie në sy se Kuvendi nuk është fort i kënaqur me punën e kryer nga Llalla vitin e kaluar. Sipas rezolutës, procedimet penale në 2017 janë në nivele shumë të ulëta, çka nënkupton se Adriatik Llalla ka bllokuar hetimet. “Organi i prokurorisë gjatë vitit 2017: Ka trajtuar 58291 materiale kallëzuese që përbën një rritje prej 1,64 % në krahasim me vitin 2016; Megjithëse ka pasur rritje të numrit të procedimeve të regjistruara për veprat penale të korrupsionit, në krahasim me vitin 2016, pesha specifike që ky grup veprash penale zë për vitin 2017, përkundrejt numrit total të procedimeve penale të regjistruara në shkallë vendi vazhdon të jetë në nivele shumë të ulëta”, thuhet aty. Në rezolutë theksohet po ashtu se Prokuroria e Përgjithshme nën drejtimin e Adriatik Llallës në vitin 2017 shënoi një numër të ulët procedimesh veçanërisht kundër krimit të organizuar, ku janë regjistruar vetëm 17 të tilla. Por përveç këtyre, Llalla ka shkelur edhe ligjin gjatë vitit të kaluar. Sipas rezolutës, ai ka shkrirë Drejtorinë e Inspektimit në Prokurorinë e Përgjithshme, e cila sipas ligjit, duhet të inspektojë prokurorët. “Është suprimuar Drejtoria e Inspektimit në Prokurorinë e Përgjithshme, veprim ky në kundërshtim me dispozitat kalimtare të ligjit 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, sipas të cilave është parashikuar se deri në krijimin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Prokurori i Përgjithshëm heton shkeljet disiplinore nëpërmjet inspektorëve të Prokurorit të Përgjithshëm”, thuhet aty.
Direktivat e Kuvendit për Arta Markun
Duke marrë shkas nga nivelet e ulëta të hetimeve kundër krimit të organizuar në Prokurorinë e Përgjithshme, Kuvendi i ka dhënë edhe disa ultimatume Arta Markut. Në rezolutën e Kuvendit thuhet se kryeprokurorja e përkohshme duhet të rrisë numrin e hetimeve, duke i kërkuar veçanërisht goditje në nivele të larta. “Rritjen e numrit të hetimeve në tërësi dhe në veçanti hetimeve proaktive kundër krimit të organizuar, korrupsionit në nivel zyrtarësh të lartë dhe të mesëm; funksionarëve të sistemit të drejtësisë, të zgjedhurve në nivel qendror dhe vendor; Rritjen e numrit të hetimeve pasurore për identifikimin, sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive, mjeteve dhe produkteve të veprave penale me origjinë krimin e organizuar, sipas ligjit Antimafia”, thuhet në rezolutë. Po ashtu ndaj Markut kërkohet ashpërsim i politikave penale për krimet e rënda, si krimi i organizuar, korrupsioni, pastrimi i parave, etj. “Ashpërsimin e politikës penale për masat e sigurisë dhe të dënimit kundër: krimit të organizuar, korrupsionit, dhunës në familje, krimeve kundra jetës, pastrimit të parave, krimit ekonomik dhe financiar, armëmbajtjes pa leje, krimit që lidhet me procesin zgjedhor, personave përsëritës në krim, krimit mjedisor”, theksohet në rezolutë. Kuvendi kërkon nga prokuroria që të ketë edhe një bashkëpunim të mirë me të gjitha agjencitë ligjzbatuese në vend, por edhe jashtë.
Mimoza Ibra