Dalin të tjera probleme me çështjen e Izet Haxhisë, Apeli nuk cakton datën për nisjen e gjyqit, ja kush do jetë relatorja

0
497

Gjyqi i Izet Haxhisë vijon të hasë probleme. Teksa problemi i parë ishte mungesa e trupës gjykuese, tani nuk ka një datë se kur do të nisë procesi. Pak ditë më parë u bë e ditur se 3 gjyqtarët e zgjedhur me short për të shqyrtuar çështjen në Apel janë: Valdete Hoxha, Genti Shala dhe Astrit Haxhialushi. Gazeta ju drejtua dje Gjykatës së Apelit Tiranë për të mësuar se përse ka ngecur procesi dhe gjithë çështja është te data e gjyqit. Gjykata nuk po përcakton datën kur do fillojë shqyrtimi, për arsye që ende nuk dihen. Në faqen zyrtare në internet, është përcaktuar kalendari për muajt shtator dhe tetor për të gjithë gjyqtarët. Por nuk ka një vendim për rastin “Haxhia”. Edhe sipas zyrës së shtypit të Gjykatës së Apelit, nuk është përcaktuar ende një datë. Ndërkohë që gazeta ka mësuar se relatorja është zgjedhur Valdete Hoxha. Kjo është një emër i njohur pasi ka dënuar Aldo Baren dhe ka gjykuar Bandën e Durrësit. Por pavarësisht kësaj, procesi po has shumë pengesa dhe duket se po ushtrohet presion i fortë politik. Nga ana tjetër, tregohet se asnjë nuk do të ketë në dorë dosjen e Izet Haxhisë.

Largimi i trupës gjyqësore

Përveç se nuk ka një datë se kur do nisë gjyqi, po hasen probleme dhe me trupën gjyqësore. Duke qenë se në Apel punon Fatmira Hajdari, bashkëshortja e Azem Hajdarit, të gjithë janë në konflikt interesi. Sapo të nisë gjyqi, pritet që dhe 3 emrat e zgjedhur me short të largohen. Që kur Izet Haxhia u ekstradua në Tiranë, situata politike në vend u nxeh. Sali Berisha nisi sulmet ndaj kryeministrit, ndërkohë që socialistët paralajmëruan se Haxhia do jetë personi i parë me të cilin do nisë reforma në drejtësi dhe në këtë mënyrë do zbardhet dosja “Hajdari”. Por duket se situata nuk po ecën sipas planeve, pasi këtë herë janë gjyqtarët ata që po refuzojnë të marrin në dorë çështjen. Apeli ka dy rrugë, ose të lërë në fuqi dënimin me 25 vite burg për Izet Haxhinë, ose të kthejë për rishqyrtim në Shkallën e Parë. Për të dyja rastet do ketë debat dhe kështu që të gjithë duan të heqin dorë nga përgjegjësia.

Roli i KLD

Duke qenë se të gjithë anëtarët e Apelit refuzojnë të marrin në dorë dosjen e Izet Haxhisë, me shumë gjasë do të kërkohet ndihma e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Gazeta e tha më herët që KLD mund të krijojë një trupë speciale gjyqtarësh dhe të delegohen për të shqyrtuar vetëm këtë rast. Nëse dorëheqjet e 3 emrave të mësipërm pranohen, atëherë pritet që kreu i gjykatës t’i drejtohet me një shkresë KLD, e cila do të vendosë më pas për situatën. Nga ana tjetër, Izet Haxhia ka ngritur ditët e fundit shqetësimin se përse nuk po merret në pyetja nga prokuroria dhe pse nuk ka asnjë hetim mbi deklaratat e tij. Por sipas juristëve, për fatin e tij do të vendosë vetëm Gjykata e Apelit. Nëse kjo e kthen për rishqyrtim dosjen në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë, kjo e fundit mund të kërkojë nga prokurori që të tërhiqen aktet dhe të ketë një hetim më të plotë. Por sinjalet janë se askush nuk është i interesuar për rastin dhe tani mbetet të shihet se si do të veprohet. Kur të nisë gjyqi, pritet që të thirren 44 dëshmitarë dhe shpresat e Haxhisë janë pikërisht te rrëfimet e tyre.

Kliti Topalli

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here