Pa celularë në shkolla. Të gjithë jemi kuriozë si do të vihet në zbatim masa e re, Italia jep shembullin si do bëhet

0
589

Nisja e vitit të ri shkollor vjen me një ndryshim të paralajmëruar në aspektin e  përdorimit të celularëve nga nxënësit dhe mësuesit gjatë kohës së qëndrimit në shkollë. Ministria e Arsimit e ka bërë publik këtë vendim disa javë më parë, duke saktësuar se celularët do të dorëzohen në nisje të ditës së mësimit nga nxënësit dhe mësuesit. Mbetet për t’u parë se sa i sukseshëm do të jetë në praktikë zbatimi i këtij vendimi. Një masë që u implementua fillimisht në Francë, ndalimi i përdorimit të celularëve rezultoi i suksesshëm dhe ka nisur të shtrihet edhe në vende të tjera.

Në Itali, në shkollën e mesme “San Benedetto”, në Piacenca, nxënësit do të gjenden nesër para një “surprize” të ngjashme. Por ajo që jep më shumë garanci për sukses është fakti se shkolla ka siguruar edhe infrastrukturën e duhur për të zbatuar me përpikmëri këtë vendim.

Nxënësit nuk do të kenë nevojë ta dorëzojnë smarfonin e tyre, por do ta vendosin atë në një mbajtëse, që e mbron dhe njëkohësisht e bën të papërdorshëm gjatë gjithë procesit mësimor.

“Shkencëtari i madh Stephen Hawking thoshte se nuk duhet të reshtim kurrë së vështruari yjet. E vendosur në kontekstin tonë, kjo shprehje ka kuptimin t’ua heqim nxënësve vështrimin nga ekranet e smartfonëve për t’ua drejtuar te yjet, metaforikisht diçka që qëndron më lart”, thotë drejtori i shkollës, Fabrizio Bertamoni.

Pajisja që përdoret në shkollat amerikane, i ngjan në parim sistemit antivjedhje që kanë makinat. Kur nxënësit hyjnë në klasë, ata i vendosin celularët në “xhepin” teknologjik, kodi i të cilit aktivizohet nga mësuesi. Ata mund ta mbajnë me vete gjatë gjithë ditës, por celulari bëhet i përdorshëm vetëm në momentin që mësuesi çaktivizon kodin në përfundim të mësimit.

Drejtuesit e shkollës thonë se ky është rasti i parë i kësaj natyre në Itali. “Nuk e konsiderojmë imponim apo ndalim. Ne jemi të bindur se kjo është një mundësi që u jepet nxënësve të shohin përtej ekranit të celularit.

Ndërkohë, ne do t’i ndihmojmë ta kuptojnë këtë zgjedhje. Për më tepër, që edhe fenomeni i dëmshëm i bullizmit kalon nëpërmjet këtyre aparatëve”, shpjegojnë drejtuesit e shkollës.

Ata thonë se me anë të një letre u kanë shpjeguar prindërve në mënyrë të detajuar arsyet e kësaj zgjedhjeje dhe përgjigjet që kanë marrë kanë qenë të gjitha pozitive dhe entuziaste.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj