Patozi: Përjashton revolucionin, zgjidhjen e kërkoj nga shoqëria

0
394

Në emisionin “Top Talk” të gazetarit Denis Dyrnjaja, këtë të enjte në Top Channel, Astrit Patozi tha se nuk e lidh asgjë me partinë e privatizuar të Lulzim Bashën, por u kujdes të theksonte se me Partinë Demokratike e lidh e gjithë jeta e tij politike, të cilën nuk e zhbën dot.

Megjithatë, “në atë lloj partie të atrofizuar, të marrë peng”, ai shprehet se nuk ka asnjë rol për të luajtur.

“Partia Demokratike ka vetëm një mënyrë për të shpëtuar dhe misioni im, ajo lëvizje që ju thoni se u shua, ajo kishte një qëllim: t’u provonte demokratëve dhe shoqërisë shqiptare, se Partia Demokratike ose e shfrytëzonte, ose e humbte një mundësi të fundit për t’u rimëkëmbur. Basha dhe të tjerë zgjodhën që ta mbajnë peng PD-në. Zgjidhja sipas meje nuk është më te Partia Demokratike. S’ka kuptim që ne të zihemi për çelësat e SHQUP-it, që sipas meje janë çelësat e kashtës. Nuk ka kuptim që disa demokratë të mërzitur me Lulzim Bashën të marrin tashmë PD-në. Megjithatë, unë zgjidhjen e kërkoj nga shoqëria shqiptare, nga njerëzit që ndihen të djathtë, të mashtruar nga të dyja kampet politike, si nga qeveria, ashtu dhe nga opozita zyrtare, të cilët janë të detyruar të ndërmarrin një reagim, një lëvizje politike që mund ta shkundë sistemin. Unë tek ata e pres dhe jo te Partia Demokratike”, tha Patozi.

Partia Demokratike nuk bën të njëjtën politikë të 20 viteve më parë, jo të njëjtin aksion politik të atyre viteve. Jemi pak orë nga 14 shtatori i 20 viteve më parë, kur pushteti u sulmua me armë, u rrëzua me dhunë dhe sot ju keni një projeksion të ndryshëm, gjykoni më ftohtë. Si mund ta përshkruani dhe si e perceptoni 14 shtatorin e vitit 2008? A keni një lloj reflektimi mbi atë ngjarje?

“Ai aksion i atëhershëm ishte në kontekst krejt tjetër me atë që flasim apo gjykojmë sot. Të kthehesh 20 vite pas nuk është kaq e lehtë. Mbi të gjitha ishte një reagim ndaj një ngjarjeje shumë të rëndë, që konsiderohet ende si vrasja e shekullit për Shqipërinë. Si i tillë mund të ishte edhe i ekzagjeruar. Unë jam i djathtë në gjene dhe në formim, ndaj përjashtoj çdo lloj mënyre revolucionare të marrjes së pushtetit”, tha Patozi.

Sipas Patozit, Rama do të ikë nga pushteti kur të ketë një opozitë reale, ballore, të sinqertë dhe jo një opozitë të rreme, siç është sot.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here