Google search engine
Home Kulture “Neighbours- From Motherland” vjen premierë në skenë

“Neighbours- From Motherland” vjen premierë në skenë

0
29

“Neighbours- From Motherland” sjell në skenë një rrëfim për rrënjët, identitetin dhe përkatësinë, përmes gjuhës së kërcimit. Vepra, me koreografi dhe krijim të Brigel Gjokës dhe Rauf “RubberLegz” Yasit, bashkon trupin, lëvizjen dhe emocionin në një gjuhë universale, duke sjellë një takim të veçantë mes artistëve dhe dy skenave shqiptare. Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit bën me dije se e prezantuar në kuadër të “International Dance Festival of Tirana”, shfaqja vjen premierë si një bashkëprodhim mes këtij teatri dhe Baletit Kombëtar të Kosovës.

Për herë të parë, dy institucionet bashkohen në një produksion të përbashkët të kësaj natyre. Shfaqja do të jetë premierë në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë, në mbrëmjet e 3 dhe 4 tetorit, dhe më 7 tetor do të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës në Prishtinë, ndërsa muzika  është nga Rusan Filiztek. Kjo shfaqje siç është bërë me dije këto ditë do të hapë dhe Festivalin Ndërkombëtar të Kërcimit që nis këtë tetor në Tiranë. Për këtë bashkëpunim ka reaguar dhe Ministria e Turizmit dhe Kulturës në Kosovë, që fton publikun të bëhet pjesë e këtyre mbrëmjeve dhe ta përjetojë nga afër këtë bashkëpunim artistik mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Festivali këtë vit

Në edicionin e pestë, festivali sjell gjatë muajit tetor një program që shtrihet përtej një skene të vetme dhe përfshin për herë të parë edhe Prishtinën. Tirana dhe Prishtina do të bëhen pjesë e një programi artistik që ndërthur baletin, teatrin performativ dhe krijimet e reja të kërcimit bashkëkohor. Edicioni i pestë i Festivalit Ndërkombëtar të Kërcimit vjen nën drejtimin artistik të koreografit Angelin Preljocaj. Programi përfshin balet, teatër performativ, performanca në hapësira të jashtme, një vepër për fëmijë, repertor klasik, si dhe krijime të reja nga koreografë të njohur të kërcimit bashkëkohor, mes tyre Sharon Eyal, Brigel Gjoka, Rauf “RubberLegz”, Ben Duke, Josette Baïz, Andonis Foniadakis, Lorena Nogal, Thomas Noone dhe Angelin Preljocaj.

Festivali mbështetet nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Bashkia Tiranë, Bashkimi Evropian dhe ambasada të huaja, ndërsa bashkëpunon me institucione dhe hapësira të ndryshme kulturore në Tiranë dhe Prishtinë. Nga 3 deri më 21 tetor, aktivitetet do të zhvillohen në 9 hapësira të Tiranës, ndërsa për herë të parë programi do të shkojë edhe në Prishtinë.  Festivali i shtohet kalendarit kulturor të tetorit me një program të fokusuar te kërcimi, duke sjellë në skenat e Tiranës dhe Prishtinës artistë, koreografë dhe produksione nga Shqipëria, Kosova dhe skena ndërkombëtare.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here