Sistemi elektronik i Tatimeve po përballet me një problem të rëndë teknik, ku mijëra fatura të lëshuara nga bizneset dhe të pranuara nga vetë platforma po mbeten të pafiskalizuara. Kjo situatë e bën të pamundur shlyerjen e faturave nga bizneset pritëse, duke krijuar bllokim në aktivitetin e tyre të përditshëm.
Sipas burimeve brenda kompanisë për “Kapitali.al”, sistemi ka më shumë se një javë që nuk sinkronizohet, çka ka sjellë dështimin e procesit të fiskalizimit.
Aktualisht, ky sistem po menaxhohet nga “Albanian Digital Solution”, kompania shtetërore e krijuar nga AKSHI me qëllim marrjen në dorëzim të sistemeve kompjuterike shtetërore të cilave u kanë përfunduar kontratat me subjektet private.
Platforma e fiskalizimit mirëmbahej më parë nga kompania private “Primus Adriatic”. Ndonëse AKSHI hapi gjatë vitit të kaluar tenderin për mirëmbajtjen e sistemit për katër vitet e ardhshme, procedura u bllokua pas hetimit të SPAK-ut për AKSHI-n dhe nuk është realizuar ende.
Pas këtij skandali, qeveria ka pezulluar praktikisht çdo tender në fushën e teknologjisë së informacionit. Kjo ka bërë që kontratat me kompanitë private të skadojnë dhe mirëmbajtja t’i kalojë kompanisë shtetërore, ndërsa mjaft platforma publike po shfaqin defekte të përsëritura teknike.








































