Deputeti ukrainas Oleksiy Goncharenko, i cili ka nisur në Parlamentin e Ukrainës projektligjin për njohjen e pavarësisë së Kosovës, ka reaguar ashpër ndaj qëndrimit që mbajti presidenti Volodymyr Zelensky gjatë vizitës së tij në Serbi.
Zelensky, teksa ndodhej në Beograd, tha se Ukraina nuk ka ndërmend ta ndryshojë qëndrimin e saj ndaj mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës. Kjo deklaratë u konsiderua nga Goncharenko si një “gabim diplomatik”.
Përmes një publikimi në rrjetin social “X”, deputeti ukrainas e ndau deklaratën e presidentit të vet, duke shtuar edhe një fotografi që tregonte heqjen e mbishkrimit “Free Ukraine” nga Hoteli Grand në Prishtinë.
Goncharenko theksoi se shumica e qytetarëve ukrainas e mbështesin pavarësinë e Kosovës dhe se, sipas tij, Kievi duhet ta njohë zyrtarisht shtetin kosovar. Ai u zotua se do të vazhdojë betejën për këtë çështje, duke shprehur bindjen se njohja nga ana e Ukrainës është vetëm çështje kohe.
“Ky është një gabim diplomatik. Ukrainasit mbështesin pavarësinë e Kosovës dhe ne besojmë se Ukraina DUHET ta njohë shtetin. Unë do të vazhdoj të luftoj për pavarësinë e Kosovës dhe përfundimisht Ukraina do ta njohë atë”, shkroi ai.
Goncharenko konsiderohet një ndër zërat kryesorë brenda skenës politike ukrainase që kanë kërkuar hapur njohjen e Kosovës, duke e lidhur këtë hap me interesat strategjike dhe politikën e jashtme të vendit të tij.







































