Një marrëveshje e mundshme midis Iranit dhe Omanit për t’i dhënë fund luftës pesëmujore midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara mund t’i japë Teheranit kontroll mbi trafikun detar që hyn në Gjirin Persik përmes Ngushticës së Hormuzit, thonë burime iraniane dhe rajonale. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë më parë se një marrëveshje për rihapjen e ngushticës është afër, ndërsa zyrtarët amerikanë kanë theksuar vazhdimisht se Uashingtoni nuk do ta pranonte kurrë që Irani të kontrollonte aksesin në një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të energjisë në botë.
Një ndryshim i rëndësishëm në ekuilibrin e pushtetit?
Para shpërthimit të luftës, Ngushtica e Hormuzit ishte e hapur lirisht për të gjitha anijet pa tarifa, dhe një marrëveshje që do t’i jepte Iranit kontroll mbi trafikun përmes ngushticës do të shënonte një ndryshim të rëndësishëm në ekuilibrin rajonal të pushtetit në favor të Teheranit, vëren Reuters. Irani dhe Omani kanë zhvilluar bisedime dypalëshe në javët e fundit mbi regjimin e lundrimit nëpër ngushticë, të cilën të dy vendet e kontrollojnë nga brigjet e tyre përkatëse. Irani ka thënë se është bërë “përparim i madh” në bisedime dhe se një marrëveshje e mundshme do të shihte anijet që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit të hynin dhe të dilnin nga Gjiri Persik përmes ujërave iraniane. Irani ka paralajmëruar gjithashtu vendet e Gjirit Persik se çdo sulm i ri i SHBA-së në territorin e tij mund të shkaktojë një përgjigje që synon infrastrukturën kyçe energjetike në rajon, sipas pesë burimeve të njohura me bisedimet.
Paralajmërim i qartë
“Paralajmërimi i Iranit ishte i qartë: nëse Amerika sulmon infrastrukturën e Iranit, përgjigjja do të jetë me sulme ndaj objekteve energjetike të Gjirit dhe objektivave të tjerë rajonalë”, paralajmëroi një nga burimet. Trump tha në një tubim në Las Vegas se ai është në favor të një zgjidhjeje diplomatike, duke vënë në dukje se do të preferonte të arrinte një marrëveshje sepse nuk dëshiron të “vrasë njerëz”. Irani ka njoftuar se më shumë se 3,400 njerëz janë vrarë që nga fillimi i luftës më 28 shkurt, kur Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën sulmet, ndërsa Uashingtoni raportoi 18 ushtarë amerikanë të vrarë.
Përplasje Trump-Hegseth për mungesën e raketave në ushtrinë amerikane?
Nga ana tjetër Washington Post ka raportuar se Donald Trump është ‘përplasur’ me Sekretarin e Mbrojtjes, Pete Hegseth, për ato që mediat i cilësuan si mungesa në rezervat e raketave amerikane gjatë një takimi në Camp David. Ndërkohë sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, i ka hedhur poshtë këto raportime të medias, duke i cilësuar si të pavërteta. Sipas artikullit, Trump kishte kërkuar shpjegime se përse ishte keqinformuar lidhur me mungesat e raketave me rreze të gjatë veprimi dhe interceptorëve të mbrojtjes ajrore. Raportimi pretendonte gjithashtu se rezervat e pakësuara kishin ndikuar në vendimin e presidentit për të mos ndërmarrë sulme të tjera në shkallë të gjerë ndaj Iranit.
Leavitt, e cila tha se ishte e pranishme në takimin mes Trump dhe Hegseth, i cilësoi këto pretendime si të pavërteta. “Kjo fjalë për fjalë nuk ndodhi kurrë, dhe ne ia kemi thënë këtë vazhdimisht Washington Post-it”, deklaroi ajo. Ajo shtoi se Trump “e do Sekretarin dhe mendon se ai po bën një punë të jashtëzakonshme”, duke mohuar çdo përplasje mes presidentit dhe kreut të Pentagonit.
SHBA rrit presionin ndaj Iranit
Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, JD Vance deklaroi se administrata amerikane është e vendosur të pengojë Iranin të zhvillojë armë bërthamore. Ai theksoi se Uashingtoni do të përdorë të gjitha mjetet në dispozicion, nga diplomacia te presioni ekonomik dhe, nëse është e nevojshme, edhe ai ushtarak. Në një intervistë për ‘Fox News”, Vance foli për vështirësitë e dialogut me Teheranin, duke argumentuar se sistemi politik iranian është i përçarë dhe e bën procesin e negociatave më të ndërlikuar. “Së pari, iranianët janë njerëz jashtëzakonisht të vështirë për të negociuar.
Së dyti, ata kanë një sistem të thyer”, tha Vance. Sipas tij, brenda strukturës së pushtetit në Iran ka zyrtarë që mbështesin uljen e tensioneve, por edhe elementë radikalë që nuk duan t’i japin fund konfliktit. “Ka njerëz brenda sistemit të tyre që duan që lufta të përfundojë, por ka edhe nga ata që janë radikalë të çmendur që duan që lufta të vazhdojë.
Detyra jonë është të lundrojmë përmes kësaj situate dhe të marrim rezultatin më të mirë për popullin amerikan dhe për presidentin e SHBA-së”, u shpreh ai. Komentet e zëvendëspresidentit vijnë në një kohë kur marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Teheranit mbeten të tensionuara pas përplasjeve të fundit ushtarake dhe zhvillimeve që lidhen me Ngushticën e Hormuzit. Megjithatë, Vance u shpreh optimist se kriza mund të zgjidhet përmes diplomacisë, duke shtuar se një marrëveshje do të kishte ndikim pozitiv edhe në tregjet ndërkombëtare të energjisë. “Besoj se do të arrijmë në një zgjidhje që do të ndihmojë në uljen e çmimeve të naftës dhe do ta bëjë Amerikën më të fortë”, përfundoi Vance.







































