Google search engine
Home Politike Drejtesi Çfarë fshihet pas kallëzimit të Altin Dumanit në Itali, Romeo Kara ngre...

Çfarë fshihet pas kallëzimit të Altin Dumanit në Itali, Romeo Kara ngre alarmin

0
17

Juristi Romeo Kara, tha se kallëzimi penal ndaj ish-kreut të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani, nga Petrit Çela, babai i të shumëkërkuarit Suel Çela në Itali është lojë procedurale e avokatëve për të shmangur prokurorin nga procesi për shkak të integritetit të tij. Ai deklaroi se Dumani nuk ka ndërmarrë veprime dhe nuk ka qenë pjesë e procesit. Sipas tij, nuk mund të lejohet që prokurorët tanë të privohen nga e drejta e mbrojtjes penale.

Sipas tij, rasti i Dumanit nuk duhet parë vetëm si një çështje që lidhet me një individ, por si një provë për mënyrën se si mund të funksionojë sistemi i drejtësisë përballë presioneve dhe betejave procedurale. Ai paralajmëron se pranimi i një logjike të tillë mund të krijojë një precedent ku çdo person i përfshirë në procese hetimore do të mund të tentonte të largonte prokurorët përmes kallëzimeve penale.

Reagimi i juristit Romeo Kara

“Nuk është vetëm Altin Dumani nën sulm. Në provë është i tërë shteti i së drejtës. Prej disa ditësh opinioni publik po përballet me një valë lajmesh dhe interpretimesh që synojnë të krijojnë perceptimin se, Prokurori i Posaçëm Altin Dumani ndodhet nën një hije dyshimi, për shkak të një kallëzimi penal të paraqitur në Itali. Le të jemi të qartë: në një shtet demokratik, çdo qytetar ka të drejtë të kallëzojë këdo. Askush nuk duhet të pengohet të ushtrojë këtë të drejtë. Po aq i rëndësishëm është një parim tjetër: askush nuk mund ta përdorë kallëzimin penal si armë për të zgjedhur prokurorin që do ta hetojë. Nëse kjo do të pranohej, atëherë fundi i drejtësisë do të ishte shumë afër.

Çdo i pandehur, çdo organizatë kriminale, çdo zyrtar i hetuar do të kishte një recetë të thjeshtë: të kallëzonte prokurorin dhe të kërkonte largimin e tij nga çështja. Kjo nuk është e drejtë procedurale.  Kjo është përpjekje për të deformuar procesin penal. Deklarata e SPAK-ut është domethënëse sepse sqaron se, Altin Dumani nuk ka qenë pjesë e grupit hetimor italian, nuk ka kryer asnjë veprim hetimor në atë procedim dhe ka nënshkruar dokumentet e bashkëpunimit vetëm në cilësinë e drejtuesit institucional të SPAK-ut.

Po ashtu, Prokuroria e Veronës ka kërkuar arkivimin e procedimit, ndërsa gjykata italiane do të vendosë sipas ligjit italian pas kundërshtimit të paraqitur nga kallëzuesi. Këto janë fakte procedurale, jo slogane politike. Altin Dumani nuk ka nevojë të mbrohet as nga unë e as nga kurrkush tjetër, sepse e ka marrë tashmë një dekoratë si askush tjetër. Ai duhet të mbrohet sepse institucionet duhet të mbrohen nga përpjekjet për t’u intimiduar ose për t’u paralizuar përmes mekanizmave procedurale që nuk mbështeten në prova të mjaftueshme. Megjithatë, nuk mund të anashkalohet një fakt me rëndësi të veçantë.  Në dhjetor 2024, Departamenti Amerikan i Shtetit e nderoi Altin Dumanin me çmimin “Champion Against Corruption”, duke vlerësuar integritetin, profesionalizmin dhe guximin e tij në luftën kundër korrupsionit.

Ky vlerësim nuk e vendos askënd mbi ligjin, por është një dëshmi e besueshmërisë që gëzonte puna e tij në nivel ndërkombëtar. Ata që sot përpiqen të ndërtojnë narrativën e diskreditimit duhet të kuptojnë se, reputacioni i një institucioni nuk rrëzohet me tituj sensacionalë apo me interpretime të nxituara. Ai ndërtohet dhe vlerësohet mbi vendime gjyqësore, prova dhe ligj. Për këtë arsye, debati nuk duhet të jetë nëse na pëlqen apo jo Altin Dumani.  Debati duhet të jetë nëse duam një sistem drejtësie ku prokurorët largohen nga dosjet sepse dikush i kallëzon, apo një sistem ku ata vazhdojnë detyrën derisa një organ kompetent të provojë, me vendim të bazuar në ligj, se kanë shkelur detyrën.

Historia e shteteve demokratike tregon se, reforma në drejtësi nuk dështon zakonisht nga mungesa e ligjeve. Ajo dështon kur frika, presioni dhe interesat private arrijnë të zëvendësojnë ligjin. Mbrojtja e Altin Dumanit nuk është çështje simpatie personale, por mbrojtje e një parimi themelor: “pavarësia e prokurorit nuk mund të dorëzohet përballë presionit.” Në fund, askush nuk duhet të jetë mbi ligjin.  As Altin Dumani.  Po aq e rëndësishme është që askush të mos jetë në gjendje t’a përdorë ligjin si mjet për të penguar drejtësinë.  Pikërisht aty qëndron dallimi mes shtetit të së drejtës dhe shtetit të interesave”.

Qëndrimi i SPAK

SPAK la të kuptohej se Dumani po paditet në shtetin fqinj për shkak të detyrës së tij, dhe se ky kallëzim po përdoret nga Petrit Çela si taktikë për të hequr prokurorin nga dosja e bujshme ku i biri, Suel Çela, akuzohet si kreu i një organizate ndërkombëtare kriminale. “I vetmi element i identifikuar që lidh prokurorin Altin Dumani me bashkëpunimin ndërkombëtar në fjalë është nënshkrimi, në cilësinë e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, i një shkrese institucionale”, thuhet në sqarimin që SPAK bëri për publikun, ku shtohet se nisma për hetimin e pasurive të Çelajve në Itali, kishte ardhur nga prokuroria e vendit fqinj. Familja Çela, përmes Petrit Çelës, ka paditur në prill 2026 në Itali për shpifje prokurorin Altin Dumani.

Çështja u arkivua nga drejtësia italiane në maj 2026, por Çela ka apeluar kundër vendimit të arkivimit. Petrit Çela dhe kompania e familjes “Meral SRL” pretendojnë se u është shkatërruar biznesi në mënyrë të padrejtë, pasi u sekuestruan rreth 4 milionë euro asete në Verona me dyshimin e pastrimit të parave nga trafiku i kokainës. Mbrojtja e familjes argumenton se çdo euro ishte e ligjshme. Ndërkohë, sipas SPAK, Petrit Çela ka përdorur faktin e hapjes së këtij procedimi në Itali për t’i kërkuar SPAK-ut në maj dhe qershor 2026 përjashtimin e Dumanit nga dosja hetimore ndaj organizatës së dyshuar se drejtohet nga i biri.

Kjo kërkesë u rrëzua si e pambështetur në ligj nga drejtuesi aktual i SPAK, pasi prokuroria argumenton se Dumani nuk ka pasur rol operativ hetimor, por vetëm rol përfaqësues. Sipas SPAK, prokurori nuk ka kryer sekuestrime apo marrje në pyetje për çështjen e nisur në Itali, çka e bën të qartë motivin e vërtetë të padisë. “…rezulton lidhja ndërmjet kallëzimit të paraqitur në Itali dhe interesit të drejtpërdrejtë familjar që kallëzuesi Petrit Çela ka në procedimin penal nr.193/2023… si dhe përdorimi i vetë faktit të kallëzimit penal si bazë procedurale për kërkesën e përjashtimit të prokurorit të çështjes”, njoftoi SPAK.

Procedimi nr. 193/2023 në ngarkim të Suel Çelës dhe vëllait të tij Mario Çela, dhe një grupi të dyshuar bashkëpunëtorësh, përfshi një ish-gjyqtare të Elbasanit, u dërgua për gjykim nga SPAK në shkurt të këtij viti. Në këtë dosje, Marius Lulaj, alias Suel Çela, akuzohet për drejtimin e një organizate kriminale të përfshirë në trafik droge nga Ekuadori në Evropë, sigurimin e kushteve për vrasjen e Bled Muça alias Bledar Muça dhe Elvis Koçi, mbajtje pa leje të armëve, si dhe për atentatin me snajper ndaj rivalit Ardjan Çapja në vitin 2020. Sipas SPAK, organizata e Çelës kishte ngritur një skemë të mirëfilltë ndikimi duke korruptuar ish-gjyqtaren Pajtime Fetahu dhe ish-zyrtarin e policisë Dedan Gjoni për të lehtësuar pozitat e grupit në procese penale dhe rënduar ato të rivalëve.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here