Partia e kandidatit të së majtës radikale për president të Francës, Jean-Luc Mélenchon, ka përfshirë në programin e saj zyrtar largimin e vendit nga NATO dhe shtetëzimin e disa prej kompanive kryesore të industrisë së mbrojtjes.
Në programin prej 222 faqesh, të publikuar të premten, partia “France Unbowed” kërkon tërheqjen e menjëhershme të Francës nga komanda e integruar e NATO-s dhe më pas largimin gradualisht të plotë nga Aleanca. Ajo kundërshton gjithashtu objektivin për rritjen e shpenzimeve ushtarake në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), duke e cilësuar këtë si një kërkesë të Shteteve të Bashkuara.
Megjithatë, një Francë e drejtuar nga Mélenchon do të vijonte të ofronte ndihmë për vendet e Bashkimit Evropian, në përputhje me detyrimet që burojnë nga traktatet e BE-së.
Sondazhe të ndryshme e kanë renditur Mélenchon në një pozicion që mund t’i mundësojë kalimin në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm, ku do të zgjidhet pasardhësi i Emmanuel Macron. Në këtë fazë, ai mund të përballet me Marine Le Pen, e cila gjithashtu ka premtuar largimin e Francës nga komanda e integruar e NATO-s.
Programi parashikon gjithashtu rregulla më të rrepta për përdorimin dhe zhvillimin e armëve, përfshirë sistemet autonome vdekjeprurëse dhe armët bërthamore.
Një tjetër pikë e platformës është kundërshtimi i militarizimit të hapësirës. Për këtë arsye, partia kërkon mbylljen e qendrës hapësinore të NATO-s në Toulouse. Në të njëjtën kohë, ajo argumenton se Franca duhet të ruajë kapacitete të mjaftueshme për të garantuar sovranitetin e saj, përfshirë zhvillimin e një anijeje hapësinore.






































