Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Todd Blanche, ka deklaruar se Departamenti i Drejtësisë do të ofrojë mbrojtje ligjore për çdo anëtar të administratës së Donald Trump, në rast se bëhet objekt i hetimeve të nisura nga demokratët. Deklarata vjen pas fitores së demokratëve në zgjedhjet e mesit të mandatit, përmes së cilës ata siguruan shumicën në të dyja dhomat e Kongresit amerikan dhe pritet të shtojnë presionin ndaj administratës republikane.
Blanche, i cili më parë ka qenë avokat personal i presidentit Trump, tha në një intervistë për CNN se mbrojtja e anëtarëve të pushtetit ekzekutiv është një prej përgjegjësive të tij në drejtimin e Departamentit të Drejtësisë.
“Puna ime si Prokuror i Përgjithshëm është, ndër të tjera, të mbroj administratën”, u shpreh ai, duke nënvizuar se institucioni do të angazhohet për përfaqësimin ligjor të zyrtarëve që mund të përballen me procedura hetimore.
Si shembull, Blanche përmendi Stephen Miller, një prej këshilltarëve më të afërt të Trump, i njohur për rolin e tij në hartimin e politikave të ashpra të emigracionit dhe dëbimeve masive. Miller është emëruar së fundmi në postin e shefit të kabinetit të Shtëpisë së Bardhë.
“Nëse ata e vënë në shënjestër Stephen Miller, sigurisht që Departamenti i Drejtësisë do të jetë aty për ta mbrojtur”, deklaroi Blanche.
Qëndrimi i tij ka shkaktuar reagime të forta nga demokratët. Robert Garcia, përfaqësuesi kryesor i demokratëve në Komisionin e Mbikëqyrjes dhe Llogaridhënies në Dhomën e Përfaqësuesve, tha për CNN se Blanche po vazhdon të sillet si avokat personal i Trump dhe jo si drejtues i Departamentit të Drejtësisë.
Sipas Garcia-s, detyra e këtij institucioni nuk është të mbrojë presidentin, kabinetin apo bashkëpunëtorët e tij nga kontrolli i Kongresit. Ai theksoi se demokratët do të përdorin kompetencat parlamentare për të hetuar çështjet që lidhen me korrupsionin dhe abuzimin me pushtetin.
Garcia akuzoi gjithashtu Trumpin dhe familjen e tij për përfitime financiare gjatë periudhës së presidencës, duke paralajmëruar se këto çështje do të jenë pjesë e vëmendjes së Kongresit.
Ndërkohë, marrja e kontrollit të të dyja dhomave të Kongresit nga demokratët pritet të sjellë një përballje të re politike me Shtëpinë e Bardhë. Duke nisur nga janari, ata do të kenë mundësinë të aktivizojnë komisionet parlamentare, të kërkojnë dokumente zyrtare dhe të thërrasin për dëshmi drejtues të administratës Trump.
Përmes këtyre mekanizmave, demokratët mund të nisin hetime të gjera për vendimet dhe veprimtarinë e administratës republikane, ndërsa në skenarë të caktuar mund të shqyrtojnë edhe procedura për shkarkimin e presidentit. Megjithatë, një vendim përfundimtar në Senat kërkon mbështetjen e dy të tretave të anëtarëve, çka e bën një proces të tillë politikisht të vështirë.






































