Google search engine
Home Sport Elbasani për titull, “tigrat” mundin me tre gola Vllazninë dhe marrin kreun...

Elbasani për titull, “tigrat” mundin me tre gola Vllazninë dhe marrin kreun e Superiores

0
36

Elbasani ka marrë një fitore tepër të rëndësishme në supersfidën e javës së 33-të të Superiores përballë Vllaznisë me rezultatin 3-1. Takimi i luajtur në “Elbasan Arena” buzëqeshi për tigrat verdheblu, të cilët kaluan në avantazh në minutën e 22’ me Blaise. Shkodranët u munduan të kthenin baraspeshën, por në të 39’, Lajthia dyfishoi shifrat. Ekipi i Edi Martinit rihapi sfidën në minutën e 73’ me Qaton, por shpresa zgjati vetëm katër minuta, pasi Lajthia shënoi golin e tretë për verdheblutë dhe të dytin personal. Me këtë fitore, Elbasani parakalon në renditje Vllazninë, duke u ngjitur në kuotën e 62 pikëve, dy më shumë se kuqeblutë.

Reagimi i trajnerit të Elbasanit
Trajneri i Elbasanit, Ivan Gvozdenoviç, ka theksuar se ekipi i tij e meritonte fitoren ndaj Vllaznisë dhe vendin e parë në renditje. Emocione? Ky vit nuk ishte vetëm sot në një ndeshje të bukur për ne e me shumë emocione. Ishim edhe kundër Partizanit e të tjera ndeshje.

Por tani kur jemi afër fundit, çdo ndeshje ka një tjetër frymëmarrje brenda fushës. Patjetër edhe në stafi do festojmë pak, sot ishte ditë e bukur për ne. Dua të falënderoj tifozët për mbështetjen, ishte një atmosferë fantastike, rreth 7-8 mijë tifozë dhe një respekt të madh për tifozët tanë. Jemi më të qetë, kemi dy pikë më shumë dhe janë edhe 3 javë. Por nuk vendoset asgjë, se kemi Final 4 dhe është gjithçka e hapur. Por nga ana e motivimit dhe psikologjikisht jemi më të fortë dhe më mirë. E dimë forcën e Vllaznisë, është në ajër dhe top të dytë.

Ne ishim shumë me ekuilibër në mbrojtje, shumë afër topit të dytë dhe u hapëm shumë mirë në pjesën e parë. Goli i parë ishte i bukur, i dyti edhe më i bukur, se ishim agresivë, mendimi im është se djemtë e meritonin fitoren. Patjetër rrezikoi dhe Vllaznia, ka cilësi, por pas golit të tyre erdhi i treti, shumë i bukur. Menaxhuam shumë mirë situatat dhe djemtë e meritonin të fitonin sot.

Nuk jemi sot në vendin e parë, kemi qenë edhe në fazën e parë dhe të tretë, deri sot ishim gjithmonë lart, ishim për një pikë më pak apo ishim afër. Nuk kemi presion jemi gati e do luftojmë deri në fund për titullin. Shanset? Është e vështirë të them tani, kemi më të mira se jemi të parët. Por pas tre javësh fillon “Final 4” dhe është e gjitha e hapur. Kemi tre ndeshje të forta, nuk mund të them sa kemi shanse për ne, Vllazninë, Egnatian apo Partizanin e Dinamon. Ndaj duhet të presim edhe pak. Kalendari i javëve të fundit? Nuk kemi bonus se kampionati shqiptar është shumë i fortë. Bonus jo, vështirësi po, se ata do luftojnë më fort, do luftojmë edhe ne se skuadrat kanë nevojë për pikët. Do jenë javë të forta për ne dhe kundërshtarët. Nuk është bonus, është vështirësi për ne”, tha Gvozdenoviç pas ndeshjes.

Përballjet e tjera
Në Vlorë, Flamurtari triumfoi 3-1 kundër Dinamos falë tripletës së Erald Maksutit, duke mbajtur gjallë shpresat e mbijetesës në javët e fundit të sezonit. Skuadra vlonjate vazhdon të mbetet në vendin e fundit me 32 pikë. Java prodhoi emocione edhe në sfidat e tjera. Tirana fitoi derbin e kryeqytetit ndaj Partizanit me përmbysje 2-1, ndërsa rezultate pozitive siguruan edhe Bylisi dhe Vora. Ballshiotët mposhtën Teutën 2-0 në shtëpi, ndërsa Vora fitoi me të njëjtin rezultat në transfertë ndaj Egnatias.

Tre javë nga përfundimi i kampionatit të rregullt, gara mbetet plotësisht e hapur, si për kreun ashtu edhe për zonën e mbijetesës. Tirana, Bylis dhe Vora kanë nga 35 pikë, ndërsa Teuta ka 38 pikë, duke e bërë çdo ndeshje të mbetur vendimtare për fatet e sezonit.

Egnatia siguron zonën ‘Final 4’
Egnatia është skuadra e tretë që siguron matematikisht pjesëmarrjen në ‘Final Four’ pas AF Elbasanit dhe Vllaznisë. Pavarësisht humbjes në ndeshjen e fundit ndaj Vorës, Egnatia ndodhet 9 pikë para Dinamos dhe Partizanit, duke ruajtur një avantazh të sigurt në renditje. Me tre ndeshje nga fundi dhe duke qenë se në raundin e fundit Partizani dhe Dinamo do të përballen mes tyre, Egnatia e ka siguruar matematikisht një vend në ‘Final Four’.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here