Parlamenti grek miratoi me një shumicë të gjerë kërkesën për heqjen e imunitetit të 13 deputetëve, emrat e të cilëve përmenden në dy dosje të reja të Prokurorisë Evropiane, për keqmenaxhim të subvencioneve nga agjencia e saj e pagesave OPEKEPE.
Kryeprokurori evropian këtë muaj i kërkoi parlamentit grek imunitetin e 13 ligjvënësve aktivë të partisë në pushtet Demokracia e Re, përfshirë ish-ministrat e bujqësisë dhe mbrojtjes civile, në dy dosje të ndara, në mënyrë që ata të hetohen për rolet e tyre të dyshuara në skemë.
Ligjvënësit grekë nuk mund të hetohen nga gjyqësori nëse parlamenti nuk voton për heqjen e imunitetit të tyre.
Ata kanë mohuar të kenë bërë ndonjë shkelje, por, duke iu drejtuar parlamentit para votimit të së mërkurës, ata thanë se ranë dakord që imuniteti i tyre të hiqet në mënyrë që hetimi të mund të vazhdojë.
Në votimin nominal morën pjesë 288 deputetë, ndërsa 9 munguan. Rezultatet për secilin rast tregojnë një mbështetje pothuajse unanime për heqjen e imunitetit, me votat “pro” që variojnë nga 285 deri në 287 dhe vetëm 1 ose 2 vota “kundër” në çdo rast.
Sipas mediave greke, të paktën 10 nga deputetët e përfshirë votuan vetë pro heqjes së imunitetit të tyre, si dhe të kolegëve të tjerë.










































