Vettingu i KPA-së rikthen në detyrë gjyqtarin e shkarkuar të Gjykatës Administrative të Vlorës, Bevis Shehaj dhe prish në këtë mënyrë vendimin e shkallës së parë të KPK-së, i marrë tre vite më parë.
Pas shqyrtimit të ankimimit të depozituar nga magjistrati që nga muaji Shtator i vitit 2022, trupa gjykuese me Mimoza Tasin si kryesuese, vendosi sot (3 Shkurt), që të merrte parasysh argumentet e Shehajt dhe të rrëzonte shkallën e parë, që e kishte përjashtuar me 15 vite nga sistemi i drejtësisë.
KPK kishte vendosur shkarkimin e Bevis Shehajt që më 15 Qershor 2022, teksa familjarët në atë kohë kanë reaguar ashpër pas vendimit. Nëna e gjyqtarit Shehaj i ka drejtuar gishtin anëtarit të trupës gjykuese, Olsi Komici, duke e akuzuar se ka marrë ryshfet për të dhënë këtë vendim.
Shehaj u përball me gjetjet e reja të KPK në tre kriteret e vlerësimit të konstatuara pas riçeljes së hetimit për shkak të denoncimeve të kryera pas seancës së parë dëgjimore të KPK. KPK ngriti pikëpyetje për vendime të gjyqtarit Shehaj të marra në cenim të procesit të rregullt ligjor apo në kushtet e konkfliktit të interesit.
Vendimi i KPA-së:
“Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Mimoza Tasi kryesuese, Ina Rama relatore, Albana Shtylla, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen nr. 41/2022, datë 22.09.2022, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Bevis Shehaj kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 541, datë 15.06.2022.
Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 4, pika 6 e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, dhe në nenin 50, germa “d” të ligjit 49/2012 “Për gjykatat administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, i ndryshuar, me shumicë votash, vendosi:
Prishjen e vendimit nr. 541, datë 15.06.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Bevis Shehaj dhe pushimin e gjykimit te çështjes. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm. U shpall sot, në Tiranë, më datë 03.02.2025”.