Kur mbeten dhe pak ditë nga ndërrimi i viteve dhe hapja e merkatos së dimrit, disa klube kanë nisur t’i bëjnë ndryshimet që tani, ndërsa ikona të futbollit si Zinedin Zidane presin ofertën e duhur për të vijuar karrierën si trajner. Kështu, Zinedine Zidane raportohet se mbetet i fokusuar në drejtimin e Real Madridit ose kombëtares franceze. Sipas asaj që ka raportuar “Marca”, Zidane ka refuzuar ofertat nga klubet kryesore si Mançester Junajtid, Juventus, PSG dhe Bajern Munih, si dhe nga ekipet kombëtare. Zidane thuhet se nuk është i interesuar të menaxhojë diku jashtë dy opsioneve të tij të preferuara.
Pavarësisht spekulimeve rreth të ardhmes së Karlo Ançlotit në Real Madrid, Zidane e kupton se pozicioni është aktualisht i zënë dhe një rikthim në Madrid nuk ka gjasa në këtë moment. Zidane ka shprehur besnikërinë ndaj Realit të Madridit, ku ndërtoi trashëgiminë e tij. Ai gjithashtu ka aspirata për të menaxhuar Francën, por është i vetëdijshëm se kontrata e Didier Deshamps është deri në vitin 2026, duke bllokuar këtë rrugë për momentin. Megjithatë, referuar asaj që shkruajnë mediat sportive francize dhe spanjolle, Zidane thuhet se mbetet i durueshëm, duke pritur për mundësinë e duhur.
Ndërkohë, Monza konfirmon shkarkimin e Alesandro Nestës dhe, sipas Sky Sport Italia, Salvatore Boçeti është kandidati kryesor për ta zëvendësuar ish-mbrojtësin e Milanit. Skuadra e Serie A, e cila po kalon një periudhë të vështirë, shkarkoi Nestën pas humbjes 2-1 kundër Juventusit. Klubi e konfirmoi shkarkimin me një deklaratë zyrtare të hënën pasdite. “AC Monza njofton se Alesandro Nesta është liruar nga detyrat e tij si trajner i ekipit të parë,” lexohet në deklaratë. “Klubi falënderon trajnerin për përpjekjet e tij dhe i uron më të mirat për të ardhmen.” Monza ndodhet në vendin e fundit të tabelës së Serie A-s me vetëm 10 pikë në 17 ndeshje.
Dy ndeshjet e ardhshme janë kundër rivalëve direktë Parma dhe Kaliari, kështu që Monza do të emërojë një trajner të ri për të rritur motivimin e ekipit përpara këtyre ndeshjeve vendimtare. Nesta kishte nënshkruar një kontratë deri në vitin 2025 në Stadiumin U-Pouer verën e kaluar. Marrëveshja përfshinte një opsion për ta zgjatur edhe për një sezon tjetër nëse Brianzoli do të arrinin të shmangnin rënien këtë sezon. Sipas “Sky Sport Italia”, Monza tashmë ka identifikuar një zëvendësues për Nesta-n: është ish-trajneri i Veronës, Salvatore Boçeti, i cili raportohet se po finalizon një marrëveshje me Brianzoli.