SHBA dhe Britania e Madhe së bashku do të përballen me “kërcënime të paprecedentë” në botë, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me Rusinë, Kinën dhe islamizmin. Për këtë janë të bindur drejtori i CIA-s, William Burns dhe drejtori i MI6-së britanike, Richard Moore, të cilët kanë publikuar dje një artikull të përbashkët mbi këtë temë në “Financial Times”, pasuar nga fjalimet në festivalin e gazetës në kryeqytetin anglez. Sot, shkruajnë dy 007, inteligjenca duhet të veprojë “në një sistem kompleks ndërkombëtar, në të cilin dy vendet tona përballen me një seri kërcënimesh të paprecedentë”. Rritja e Kinës konsiderohet si sfida kryesore e inteligjencës dhe gjeopolitike e shekullit të 21-të, por Rusia dhe xhihadizmi nuk ndryshojnë. Për luftën në Ukrainë, Burns dhe Moore thonë se “është më e rëndësishme se kurrë të qëndrojmë në kurs” për t’iu kundërvënë Rusisë dhe theksojnë se ata do të “vazhdojnë të ndihmojnë” Kievin.
Përveç Ukrainës, vazhdon artikulli, SHBA dhe Britania e Madhe “do të vazhdojnë të punojnë së bashku për të ndërprerë fushatën e pamatur të sabotimit në të gjithë Evropën e kryer nga inteligjenca ruse dhe përdorimi cinik i saj i teknologjisë për të përhapur gënjeshtra dhe dezinformata të krijuara për të krijuar ndarje mes nesh”. Krerët e agjencive të inteligjencës së SHBA dhe Britanisë së Madhe lëshuan gjithashtu një thirrje të përbashkët për një armëpushim në Gaza. Ndalimi i armëve – thonë ata – “mund t’i japë fund vuajtjeve dhe humbjeve të tmerrshme të jetës së civilëve palestinezë dhe t’i sjellë pengjet në shtëpi pas 11 muajsh robëri djallëzore”. Drejtori i CIA-s, William Burns ka bërë të ditur se në ditët në vijim do të paraqitet “një propozim më i detajuar” për armëpushim në Gaza.








































