Sa taksa mbi pronën paguan qytetarët në 2023? Formula e re ndryshon rrjedhën, çdo pasuri do të taksohet sipas vlerës

0
71

Për të tretin vit radhazi, të ardhurat që buxheti i shtetit mbledh nga taksa e pasurisë qëndrojnë thuajse në të njëjtin nivel. Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave, tregojnë se për vitin 2023, qytetarët kanë paguar afro 6.2 miliardë lekë apo 59.5 milionë euro, një rritje shumë e lehtë krahasuar me vitet 2021-2022, edhe pse përbën shifrën më të lartë të regjistruar në dekadën e fundit. Të ardhurat nga taksa mbi pasuritë e paluajtshme dhe transaksionet e kryera me to (veçanërisht taksa e ndërtesës) kanë ndjekur prirje rritëse ndër vite, ndonëse me ritme të moderuara. Rreth 5 vite nga reformimi i taksës së pronës (taksa e ndërtesës), problematikat e lidhura me të drejtat e pronësisë dhe mungesës së regjistrave kadastralë, ndër të tjera, pengojnë shfrytëzimin e plotë të potencialit të kësaj takse. Gjithashtu, rritja e numrit të lejeve të ndërtimit të dhëna dhe sipërfaqeve ndërtimore pritej të jepnin një kontribut pozitiv në të ardhurën e gjeneruar prej kësaj takse. Në tre vitet e fundit, të ardhurat nga kjo taksë vlerësohen në mesatarisht 0.3% ndaj PBB-së nominale, raport ky ndjeshëm më i ulët krahasuar me mesataren e vendeve të rajonit të Evropës Juglindore,  prej rreth 0.6% të PBB-së. Për këtë arsye vitin që lamë pas qeveria hodhi për konsultim publik projektligjin për taksimin e pasurive të paluajtshme, në të cilin parashikohet që taksa për  ndërtesën të variojë nga 0.1 % -0.2% e vlerës së saj. Baza e taksës së pasurisë është vlera e taksueshme e pasurisë së paluajtshme dhe për banesën e parë, qytetarët përfitojnë zbritje. Kjo formulë do të nisë zbatimin nga viti 2026, ndërkohë që pjesë e draftit është taksimi i tokës truall, tokës bujqësore, njësive të biznesit, etj, gjë që pritet të rrisë ndjeshëm të ardhurat nga ky zë. Në ndarjen sipas bashkive, rreth 46% e të ardhurave nga taksa për pasuritë e paluajtshme mblidhet në bashkinë Tiranë, rezultat i përqendrimit të një numri të lartë banesash dhe ndërtesash në këtë territor por edhe mirë administrimit të saj. Bashkia Durrës renditet e dyta për nga pesha në të ardhurat nga taksa mbi pasuritë e paluajtshme me rreth 5% ndaj totalit, ndjekur nga bashkitë Fier, Elbasan dhe Vlorë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here